Tre “tradhtarë”, Luftëtari dhe akuza “e maskuar” për Tiranën

15 Maj 2019
10:07
back button

Luftëtari ka mbijetuar në Superiore edhe këtë sezon, por duket se po e mbyll ashtu si e nisi sezonin, me turp. Klubi gjirokastrit shkatërroi imazhin e vet të   bukur me skandalin e ndeshjes kundër letonezëve të Ventspils në Elbasan verën e shkuar dhe që aty gjithçka mori të tatëpjetën.

Stafi i huaj ishte një dështim total, lojtarët e shumtë të afruar nuk vlenin as sa gjysma e atyre që e çuan Luftëtarin në Europa League dhe vetëm ndryshimet madhore në janar, me Julian Ahmatajn në stol dhe disa përforcime fatlume bënë që të evitohej katastrofa, duke përfituar edhe nga përjashtimi i Kamzës dhe nga sezoni gjysmak i Kastriotit.

Megjithatë, kur sezoni po mbyllej me buzëqeshje, erdhi "bomba" e madhe: Ahmataj, Aleksi dhe Jackson pezullohen për arsye ende të paqarta, por bazuar në shkresën zyrtare që ka lëshuar klubi, "skuadra u shthur totalisht në ndeshjen kundër Tiranës në kupë".

Me pak fjalë, skuadra u shthur dhe janë fajtorë vetëm 3 persona? Ndoshta klubi gjirokastrit duhej të tregohej më i drejtpërdrejtë, sepse ajo që ka ndodhur është një akuzë e hapur ndaj Tiranës.

Ose Tirana ka korruptuar lojtarët dhe trajnerin e Luftëtarit, ose Tirana ka biseduar dhe ka arritur me ta marrëveshje për sezonin e ardhshëm. Rasti i parë do të përbënte skandal të paparë në çdo vend të botës, por jo në Shqipëri, aty ku turpin e hamë me bukë dhe korrupsionin e thithim si ajrin. Rasti i dytë është diçka mëse normale (Refik Halili deklaroi para pak ditësh se ka marrëveshje me 4 lojtarë), ndodh në çdo vend të botës, kur lojtarët janë në 6 muajt e fundit të kontratës. Cila është e vërteta? Ndoshta edhe Tirana do bënte mirë të reagonte, por aty nuk e ka kush mendjen të merret me lojërat e Luftëtarit…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit