Tri orë takim me PSG; Neymar largohet i tensionuar, nuk pranon të stërvitet

15 Korrik 2019
14:14
Alfred Lleshi
back button

“Samiti” i parë mes Neymar Junior dhe drejtuesve të PSG ka përfunduar. Sulmuesi u largua nga “Camp des Loges” (qendra stërvitore e PSG) pas një takimi tri orësh me drejtorin sportiv, Leonardo, që u zhvillua në një klimë të ftohtë, sipas raporteve të para. Neymar u largua nga zyrat e klubit në fund të takimit i tensionuar dhe nuk mori pjesë në seancën stërvitore të ekipit, nën komandën e trajnerit Thomas Tuchel.

PSG do ta ketë “testin” e parë miqësor parasezonal të martën, kundër Dinamo Dresden, por Neymar nuk pritet të jetë pjesë e kësaj “ekspedite”. Në të njëjtën mënyrë, sulmuesi brazilian nuk ka kaluar as testet e zakonshme fizike dhe mjekësore, të cilave të gjithë lojtarët iu nënshtrohen rreptësisht. Neymar kishte zbarkuar në Paris mëngjesin e kësaj të hëne, sipas “RMC Sport”, saktësisht në orën 07:30, pas fluturimit nga Sao Paulo. Nga aeroporti shkoi në “Camp des Loges” me një furgon. 

Duhet të kihet parasysh se, sipas kritereve të klubit, Neymar kthehet një javë më vonë në stërvitje. Leonardo e telefonoi që të paraqitej të hënën e kaluar, më 8 korrik, si gjithë lojtarët e tjerë. 27-vjeçari, nga ana tjetër, pretendoi se ishte ende i lënduar dhe nuk po nxitonte, duke treguar marrëveshjen me ish-drejtorin sportiv, Antero Henrique, se lejohej të merrte pjesë në angazhimet e Fondacionit të tij në Brazil.

Në këtë “samit” të sotëm, Neymar Junior dhe PSG ishin në gjendje t’i paraqitnin kartat ballë për ballë. Lojtari e kishte bërë tashmë të qartë përmes mediave dëshirën për të lënë Parisin, edhe me disa deklarata deri diku ofenduese për kampionët e Ligue 1, teksa kujtojnte përmbysjen 6-1 në Champions, ndaj tyre, si më të paharrueshmen.

Nga ana tjetër, nga PSG, përveç deklaratës që denonconte vonesën e lojtarit, kishte rrjedhur qëllimisht informacionin e ndëshkimit disiplinor të Neymar. Klubi e konsideron mungesë disipline vonesën me një javë për t’u paraqitur në Paris.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit