Tri përplasjet gjermano-angleze në Champions, ja parashikimi i Lothar Matthaus

18 Dhjetor 2018
14:16
Alfred Lleshi
back button

Dje u hodh në Nyon të Zvicrës, në zyrat e UEFA-s, shorti për 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Goglat përvijuan tetë çiftet e këtij raundi të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klubet. Ndër të cilat, tri janë përplasje gjermano-angleze. Më konkretisht: Tottenham-Borussia Dortmund, Liverpool-Bayern München dhe Schalke 04-Manchester City. Tabloidi i njohur britanik, “The Sun”, ka kërkuar nga legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthaus, që të analizojë dhe të parashikojë se si mund të dalin këto tri duele. Ai nënvizoi:

“Për disa vite kam qenë shumë i sigurt për ekipet gjermane, kur ato luajnë kundër rivalëve anglezë në Europë. Por, pas shortit të fundit të 1/8 finale të Champions-it, duhet të pranoj se mund të jetë shumë e vështirë për vendin tim. Të kesh tri përballje mes klubeve angleze dhe gjermane në këtë kompeticion është fantastike.

Liverpooli kundër Bayern Munich është një ndeshje e veçantë. Aty kemi kaq shumë beteja. Jurgen Klopp kundër Niko Kovac, Manuel Neuer kundër Alisson, një ekip që po rritet kundër atij që ndoshta po shkon në drejtimin tjetër. Dhe në sulm, Mohamed Salah, kaq i vendosur për të kompensuar atë që i ndodhi në humbjen e finales së sezonit të kaluar ndaj Real Madridit, kundër Robert Lewandowski.

Liverpool ka bërë shumë më mirë këtë sezon. Kemi të bëjmë me një ekip me  kualitet të lartë, që i shkoi aq afër fitimit të trofeut në sezonin e kaluar dhe e di se çfarë duhet të bëjë. Klopp ka lojtarë me cilësi edhe në stol, të cilët mund të bëjnë dallimin, gjithashtu. Ne pamë të dielën Xherdan Shaqirin, që erdhi nga stoli dhe shënoi dy herë, për ta fituar ndeshjen kundër Manchester United.

Klopp ka bërë një punë të mrekullueshme. Me transferimet e tij të mëdha të këtij viti, Alisson, Virgil van Dijk dhe Naby Keita, ka ndërtuar një ekip shumë të mirë, duke shtuar cilësinë dhe stabilitetin. Liverpool është një ekip që mund t’i fitojë trofetë më të mëdhenj. Ka lojtarë të talentuar dhe të motivuar, me personalitet. 

Bayern Munich do të jetë më mirë, pas pushimit të dimrit, sesa ka qenë deri më tani. Bavarezët duhet t'i rikuperojnë lojtarët e dëmtuar. Por, lojtarët si Jerome Boateng, Mats Hummels dhe Neuer nuk janë ata që ishin. Për mua, Liverpool është favorit i qartë.

Nuk mund të ketë më shumë ndryshime mes Manchester City dhe Schalke. Këtu kam parasysh përvojat e dy trajnerëve, cilësinë e lojtarëve, stilin e futbollit. Schalke ka luftuar këtë sezon në Bundesliga, duke fituar vetëm një pikë në çdo ndeshje. Manchester City është në një nivel tjetër. Është e vështirë të shihet Schalke duke triumfuar pas dy ndeshjeve.

“Spurs” dhe Borussia Dortmund u takuan në fazën e grupeve, edicionin e kaluar, kur Tottenham ishte shumë më i mirë. Por, Dortmundi tani po udhëheq klasifikimin e Bundesligës, ka portierin më të mirë, stabilitetin dhe një trajner si Lucien Favre, i cili e di se çfarë dëshiron të bëjë.

Unë kam respekt të vërtetë për Mauricio Pochettino dhe “Spurs”. Ai nuk ka nevojë të paguajë 50 milionë £, 60 milionë £, 70 milionë £ për një lojtar. Ai bazohet te lojtarët që ka në dispozicion dhe bën gjëra të mëdha. Kjo është një punë e pabesueshme.

“Spurs” janë përmirësuar mentalisht nga sezoni i kaluar, kur ishin më të mirë se Juventusi, por humbën, sepse kishin dy ose tri minuta të këqija gjatë gjithë lojës. Mendoj se Dortmundi do të kualifikohet, por vetëm sepse jam gjerman”.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit