Tri skuadra në çerekfinale të Champions-it, a po rilind futbolli italian? Mancini jep përgjigjen “fatale”…

21 Mars 2023
8:30
Alfred Lleshi
back button

Tri skuadra në çerekfinale të Champions League, a mund të flasim për rilindjen e futbollit italian? Kjo ishte një nga pyetjet që iu drejtua në konferencën për shtyp Roberto Mancinit, trajnerit të kombëtares italiane, i cili në ditën e parë të kampit stërvitor në “Coverciano”, në kuadër të dy ndeshjeve eliminatore kundër Anglisë dhe Maltës, u përgjigj kështu:

“Jo, nuk mund të flasim për rilindjen e futbollit italian, sidomos referuar shumicës së klubeve të Serie A. Nëse do të kishte 50-60 lojtarë italianë do të ishte ndryshe, ndoshta edhe gjysma, por jo kështu. Nuk është një rilindje e futbollit italian. Nga tri skuadrat italiane, që do të marrin pjesë në çerekfinalet e Champions-it, startues janë maksimumi 7 apo 8. Realiteti është ky”.

Më tej pyetja: A nuk ka rrezik që koncepti i kombëtares italiane të deformohet? Mancini u përgjigj kështu: “Vite më parë thashë që në kombëtare duhej të luanin futbollistë të lindur në Itali, por nuk ishte ende ky problem dhe bota ka ndryshuar. Të gjitha kombëtaret evropiane kanë lojtarë të natyralizuar nga vende të tjera.

Kemi djem që kaluan gjithë procesin e maturimit me ne, më pas u morën nga kombëtaret e tjera. Edhe ne po bëjmë të njëjtën gjë. Është e kotë të flasim, tek Italia janë fare pak të natyralizuarit. Nëse ekziston mundësia për të rekrutuar lojtarë të rinj të talentuar, do t’i marrim ata”.

Chiesa nuk do të jetë në dispozicion për dy ndeshjet e marsit, ndërsa testet mjekësore të Dimarco janë në zhvillim e sipër. Për ta foli edhe trajneri axurr: “Chiesa ishte në Torino për të kryer vizitat mjekësore sot, por nuk mendoj se do të jetë me kombëtaren në këto dy ndeshje. Edhe Dimarco po kryen vizitat, do të presim në çfarë gjendjeje është, përndryshe do të thërrasim dikë tjetër”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit