Trondit pedagogu i mjekësisë ligjore: Tragjedia e Dwamena nuk duhet trajtuar si aksident i papritur, por si vra*je

13 Nëntor 2023
8:16
Alfred Lleshi
back button

“Vdekja në fushën e blertë e kapitenit të Egnatia futbollistit ganez Rafael Dwamena nuk duhet të trajtohet si aksident apo vdekje e papritur por si një vrasje”. Kjo është deklarata e fortë e Admir Sinamati, i cili ka mbajtur postet e zv.drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Shqipërisë për disa vite, ndërsa në periudhën 2013-2022 ka punuar si ekspert mjeko-ligjor, kërkimor-shkencor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë.

Sinamati, me petkun edhe të pedagogut të lëndës “Mjekësi Ligjore dhe Bioetike Mjekësore’ pranë katedrës “Anatomi Patologjike dhe Mjekësi Ligjore” në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, jep kështu mendimin e tij profesional e të specializuar për tragjedinë që tronditi të shtunën futbollin shqiptar, teksa Raphael Dwamena pësoi arrest kardiak në fushën e lojës dhe pastaj humbi jetën rrugës për në spital.

Më tej, Sinamati vazhdon: “Ai u diagnostikua me një sëmundje të zemrës në vitin 2017, ndaj në janar të vitit 2020, ndërsa ishte i federuar te Levante UD, iu implantua një kardioverter-defibrilator (ICD) përmes operacionit, i cili iu mundëson të sëmurëve të tillë vazhdimin e jetës normale, por duke shmangur mbingarkesën fizike dhe kontrollin e vazhdueshëm të funksionit të kësaj paisje mjekësore të implantuar.

Në tetor 2020, pas konsultës së mjekëve, ICD tregoi parametra kardiakë, të cilët u konsideruan shumë të paqëndrueshëm. Si rezultat, klubi i tij në atë kohë (Vejle Boldklub) e tërhoqi nga aktivitetet e ekipit.

Në tetor 2021, në ndeshjen e Kupës së Austrisë, gjatë pjesës së parë të Blau-Weiss Linz kundër Hartberg, Dwamena u rrëzua në fushë dhe vetëm pas ndihmës së shpejtë e stabilizimit të aparatit ICD, ai vazhdoi jetën, por jo futbollin, pasi ekipi i tij nuk e aktivizoi kurrë më.

Lind pyetja: A ka klubi i Egnatias një raport mjekësor në dosjen e Dwamena-s dhe, nëse po, kush është ekipi i mjekëve që i ka dhënë “OK” skllavërisë së këtij fatkeqi? Kush është ai mjek që ka firmosur për së gjalli skedën e vdekjes së kapitenit rrogozhinas nga Gana, duke e bërë atë fizikisht të aftë për futboll?!

Përtej ngushëllimeve, keqardhjes dhe solidaritetit me familjen e të ndjerit, kolegët apo tifozët e Rrogozhinës, Federata Shqiptare e Futbollit, nëse nuk e ndjen veten fajtore, duhet të gjejë përgjegjësit e kësaj vdekjeje të paralajmëruar në mes të fushës dhe përpara mijëra syve të sportdashësve. Futbolli është dhe duhet të jetë sport e jo skllavëri!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit