Tronditet klubi shqiptar, dy futbollistë me koronavirus. Njëri, në gjendje të rëndë

7 Korrik 2020
12:53
Alfred Lleshi
back button

Covid-19 trondit futbollin kosovar. Sikurse njofton “Insporti”, dy futbollistë të Vushtrrisë janë infektuar nga virusi i rrezikshëm, madje njëri paraqet simptoma të rënda. Situata pandemike në Kosovë është duke u rënduar përditë, teksa numri i prekurve të rinj po zgjerohet thuajse në të gjitha qytetet. Presidenti i skuadrës në fjalë, që luan në elitën e futbollit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, Bajrush Kajtazi, duke folur për skuadrën e tij, është shprehur tejet i shqetësuar me gjendjen aktuale. Ai ka deklaruar se dy futbollistë janë me simptoma të Covid-19, madje njëri është në gjendje të rëndë:

“Dy futbollistë janë me simptoma të Covid-19, që të dyve iu janë shfaqur problemet pas ndeshjes së fundit me KF Flamurtarin. Për momentin janë të izoluar, por ne e kemi kuptuar vetëm pas ndeshjes. Njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. Ditëve në vijim pritet të testohen, por Federata e Futbollit të Kosovës duhet të marrë masa, të testohemi të gjithë, së paku edhe dy klubet, me të cilët jemi përballur dy xhirot e fundit, që janë KF Ballkani dhe KF Flamurtari”.

Duke ui ndalur te simptomat, Kajtazi përmendi temperaturë dhe lodhje. Pas ndeshjes me Flamurtarin, njëri prej lojtarëve të prekur ka pasur komplikacione serioze në dhomat e zhveshjes, ka alarmuar krejt skuadrën e tij, pasi gjendja ishte e rëndë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit