Tsitsipas në gjysmëfinalet e Australian Open, sfidon legjendën Rafael Nadal

22 Janar 2019
12:55
Telesport
back button

Janë përcaktuar sot paradite dy gjysmëfinalistët e parë për meshkuj në grand slam të Australian Open, ku një biletë mes katër më të mirëve kanë siguruar tenisti spanjoll Rafael Nadal dhe ai grek Stefanos Tsitsipas. Gjithçka sipas parashikimit për legjendën Nadal, numri 2 në botë, ndërkohë që vijon të habisë me paraqitjet e tij tenisti ballkanas, që shkon me meritë në gjysmëfinalen e një turneu të madh. Ata do të përballen mes tyre në gjysmëfinalen e parë.

Rafael Nadal, numri 2 në botë për meshkuj, mundi 3-0 (6-3, 6-4, 6-2) rivalin amerikan Frances Tiafoe. Një ndeshje në sens unik, gjithnjë nën kontrollin e tenistit spanjoll, që pati epërsi në fushë në të trija setet, duke u shkëputur që në fillim. Tiafoe tentoi të rivalizojë, por e pati të pamundur të përballojë shërbimin e fortë të spanjollit, që falë klasit kualifikohet për në gjysmëfinale.

Tenisti grek Stefanos Tsitsipas

Në çerekfinalen tjetër të luajtur sot në Melburn, tenisti grek Stefanos Tsitsipas, mundi 3-1 spanjollin Roberto Bautista Agut (7-5, 4-6, 6-4, 7-6), pas më shumë se 3 orësh lojë. Tsitsipas, 20 vjeç e 168 ditë, që në raundin e katërt eliminoi legjendën Roger Federer, vijon kështu marshimin e tij. Ai është gjysmëfinalisti më i ri i një grand slam që prej vitit 2007 (Djokovic, në US Open).

Ndeshja ishte e ekuilibruar dhe me rivalitet në shumicën e kohës, me grekun që fiton setin e parë, ndërsa spanjolli replikon, duke fituar setin e dytë. Por Tsitsipas nuk ndalet, duke marrë sërish kryesimin e ndeshjes pas fitores së setit të tretë. Mjaft dramatik seti i katërt, që u vendos në “tie break” në favor të ballkanasit, që për herë të parë shkon në gjysmëfinalen e një grand slam.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit