Tyson Fury anullon duelin me Joshua: Afati kaloi, harrojeni këtë sfidë

26 Shtator 2022
21:16
Gentian Spiri

Boksieri britanik Tyson Fury, kampion bote në peshën e rëndë (WBC) deklaroi se dueli ndaj patriotit të tij Anthony Joshua nuk do të zhvillohet, pasi kontrata nuk është firmosur. Ai kishte lënë afat orën 17:00 të ditës së hënë, por deri në atë orë nuk ishte firmosur asnjë kontratë.

Joshua kishte deklaruar se do ta firmoste kontratën për t’u përballur me Tyson Fury më 3 dhjetor, por asgjë konkrete. Fury ka deklaruar në rrjetet sociale pak orë pasi kishte kaluar ora 17:00 se dueli me Joshua është anulluar.

“Është zyrtare. Dita e skadimit të afatit kaloi. Ishte ora 17:00 e ditës së hënë dhe asnjë kontratë nuk është firmosur. Ndaj, marrëveshja për duelin me Joshua është anulluar. Harrojeni këtë sfidë, idiot. Një frikacak. Gjithnjë e kam ditur se ai nuk kishte kredite për t’u përballur me mua. Urime për karrierën tënde dhe jetën tënde”, tha Fury.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit