Dy vite burg pa u dënuar, shpallet i pafajshëm ish-presidenti i Barcelonës!

24 Prill 2019
11:55
back button

Gjykata Kombëtare në Spanjë ka liruar ish-presidentin e Barcelonës Sandro Rosell, i cili qëndroi i burgosur për dy vjet në pritje të gjyqit, një rekord, sepse kurrë më parë një person nuk kishte qëndruar 643 ditë në burg parandalues (nga frika e largimit nga vendi) për një krim ekonomik në Spanjë. Po ashtu, është liruar edhe ortaku i tij, Joan Besoli, gjithashtu për mungesë provash.

Rosell akuzohej për krijim organizate kriminale, shpërdorim fondesh dhe përvetësim të paligjshëm të tyre (rreth 20 milionë euro), nga shitja e të drejtave televizive dhe organizimi i miqësoreve të Brazilit, si dhe nga një kontratë sponsorizimi mes Brazilit dhe kompanisë Nike, për të cilën Rosell ka punuar si shef ekzekutiv në Brazil.

Gjykata konsideroi se me provat e ofruara, akuzat kundër ish-presidentit të Barcelonës nuk janë vërtetuar. Prokuroria më herët kishte kërkuar 11 vjet burg dhe 60 milionë euro gjobë.

Avokati i Sandro Rosell, Andrés Maluenda, tha pas vendimit: "Është një ditë për t'u festuar, besoj se familja e Rosell është shumë e lumtur. Ka qenë një rrugë e gjatë, plot vuajtje, në një proves mjaft të ndërlikuar. Nuk është normale që një person të qëndrojë 21 muaj në burg, pa u dënuar, dhe më pas të lirohet. Na u mohua 13 herë kërkesa për lirim me kusht, në një rast ofruam deri në 35 milionë euro garanci".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit