U largua pas 15 vitesh në krye të Uruguajit, ja letra prekëse e Godin për Oscar Tabarez

20 Nëntor 2021
13:12
Alfred Lleshi
back button

15 vite në krye të Uruguajit, një cikël i jashtëzakonshëm. Mes suksesve dhe vështirësive, Oscar Washington Tabarez bëri epokë me kombëtaren e një kombi prej 3 milionë banorësh. “Maestro” nuk u tërhoq nga puna dhe misioni as kur iu desh të ecë me paterica, pasi një sëmundje neuropatike e kufizojë ndjeshëm në aspektin fizik.

Gjysmëfinalet e Botërorit të Afrikës së Jugut ishin suksesi më i madh i tij në një dekadë e gjysmë në krye të “Celeste”. Se çfarë përfaqësonte ai për lojtarët e Uruguajit, kjo del qartë në pah në letrën prekëse të kapitenit Diego Godin. Mbrojtësi ka postuar një imazh në Instagram, ku përqafon trajnerin. Fjalët për trajnerin janë mjaft emocionuese:

“Në këtë foto mund të përmbledh gjithçka që ndiej. Është e vështirë për mua të gjej fjalët e duhura dhe të shkruaj në një tekst kaq shumë gjëra që kam përjetuar; emocione, ndeshje dhe gjëra që i kam mësuar në fushë, por veçanërisht jashtë saj. Këto fjalë janë për ty “Maestro”, sepse na ke trajtuar gjithmonë me respekt, ndërsa ne futbollistët të kemi ndjekur pas me admirim. Ishte figura juaj që e meritonte këtë respekt.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Diego Godín (@diegogodin)

Dua të të falënderoj për gjithçka që më mësove dhe për gjithçka më ke ndihmuar në jetën dhe karrierën time si futbollist. Ishte ti, trajneri që më thirre fillimisht të luaja me kombëtaren e Uruguajit, çka mbetet ëndrra më e madhe e çdo djali dhe vajze në vendin tonë. Më pas më besove përgjegjësinë e shiritit të kapitenit, me gjithë atë që do të thotë për ne kombëtarja”.

Gjithmonë i jam përkushtuar me shpirt dhe trup ‘Celeste’, siç kanë bërë të gjithë bashkëlojtarët e mi. Kjo edhe falë jush, që na përcollët vlerat e identitetit, përgjegjësisë dhe dashurisë për kombëtaren. Sepse na bëre të ndjehemi njësh si ekip kombëtar, për atë që është, gjëja më e rëndësishme.

Ju e bëtë kombëtaren pjesë të jetës sonë, na dhatë ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë për këtë ekip, që ka 3 milionë uruguajanë pas. Falë jush u dëgjua zëri i kombëtares sonë në çdo cep të botës. Si uruguajanë, thjesht FALEMINDERIT, Mjeshtër!”

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit