U mund 3-0 nga FC Basel, Daja nuk pranon ta ngrejë “flamurin e bardhë”

23 Korrik 2021
9:47
Alfred Lleshi
back button

Dihej që FC Basel është shumë i fortë për një ekip shqiptar, qoftë ky edhe Partizani. Dhe kështu doli. Mbrëmë, në ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues për “Conference League”, të kuqtë u mundën 3-0 në transfertë. Sfida e kthimit, me këtë disavantazh dhe duke ditur nivelin e kundërshtarit, bëhet formalitet. Me siguri gjigantët zviceranë do të vazhdojnë më tej. Trajneri Ilir Daja, pas kësaj disfate tha për faqen e klubit të tij:

“Në raport me ne, FC Basel kishte më shumë ditë për ta përgatitur këtë ndeshje. Pas fitores tonë ndaj Sfintul në takimin e parë (5-2), në turin e parë të Ligës së Konferencës, zviceranët do të ndiqnin veprimet tona, ndërsa ne kishim vetëm tri ditë kohë për ta përgatitur përballjen e parë këtu. E dimë që FC Basel ka traditë jo vetëm në futbollin zviceran, por edhe në kompeticionet europiane.

Duke parë kualitetet që ka në ekip menduam të bënim një përforcim në fazën difensive dhe të krijonim shanset tona me sulmin e shpejtë. Patëm rastet tona për të shkuar te goli. Nëse do të shënonim në dy rastet që krijuam pjesën e parë dhe sidomos në fillim të pjesës së dytë, ku sulmuesi ynë u shfaq i vetëm përballë me portierin kundërshtar, ndeshja mund të merrte tjetër rrjedhë.

Jemi një ekip i rindërtuar në këtë periudhë, mbrotja jonë është tërësisht e rikompozuar. FC Basel me zëvendësimet që bëri kishte lojtarë të ekipeve kombëtare, ndërsa ne aktivizuam lojtarë të rinj në moshë dhe që nuk kanë eksperiencë në ndeshjet ndërkombëtare. FC Basel e meritoi fitoren, por edhe ne me mënyrën se si luajtëm duhet të kishim shënuar të paktën një gol”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit