Pasi pësoi një dëmtim të rëndë në gju në kampingun stërvitor dimëror, sezonin e kaluar, Armando Brojës i është dashur të jetë i durueshëm dhe të vazhdojë të punojë shumë për t’u rikthyer në veprim. Por u shpagua, pasi 324 ditë që nga ndeshja e tij e fundit në Premier League, kundër Newcastle United në nëntor, shqiptari u kthye në formacionin blu dhe madje shënoi në transfertën ndaj Fulham.
Broja “vulosi” fitoren 2-0 dhe e shënoi emrin e tij në listën e golave për blutë e Londrës për herë të parë që nga triumfi 3-0 në shtëpi ndaj Wolverhampton Wanderers, më 8 tetor 2022.
“Është një ndjenjë e pabesueshme, – tha Broja pas ndeshjes së mbrëmshme. – Kishte kaluar shumë kohë nga goli dhe ndeshja ime e fundit. Kam qenë jashtë për një kohë, kështu që është mirë të kthehem. Jam shumë i lumtur që skuadra fitoi ndeshjen, shpresoj të vazhdojmë kështu. Është një ndjenjë edhe më e mirë për veten time të shënoja golin e parë të sezonit në fillimin tim të parë, kështu që jam thjesht mirënjohës.
Është e mrekullueshme. Gjithmonë kam ëndërruar si fëmijë të luaj në Premier League dhe të shënoj sa më shumë gola të mundem. Është thjesht një ndjenjë e pabesueshme të jem në fillimin tim të parë dhe të shënoj në një derbi. Nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të marrësh tri pikët dhe të shënosh.
Si sulmues, të gjithë golat kanë rëndësi, pavarësisht se si shkon ndeshja. Goli është gol. Është e rëndësishme që sulmuesit të shënojnë me vetëbesim, përbën një shtysë të madhe përpara. Sidoqoftë, gjëja më e rëndësishme janë tri pikët. Ne ishim duke vuajtur pak, por tani janë dy fitore radhazi dhe shpresojmë se mund ta ruajmë këtë ritëm”.
Tifozët e Chelsea që bënë udhëtimin e shkurtër nëpër Londrën perëndimore, në “Craven Cottage”, i dhanë Brojës një ovacion të fortë teksa u largua nga fusha në pjesën e dytë. Sulmuesi shqiptar i siguroi të gjithë me shpejtësi se nuk kishte asnjë problem dëmtimi, edhe pse u zëvendësua pas 65 minutave lojë.
“Asnjë lëndim, vetëm një masë paraprake, – konfirmoi ai. – Kam qenë jashtë për një kohë, kështu që ishte gjithmonë e vështirë për mua të kthehesha dhe të luaja 90 minutat e plota. U ndjeva pak i lodhur para se të largohesha, kështu që ishte vetëm një masë paraprake”.
Ky është një lajm i mirë për një tjetër udhëtim jashtë fushe, në Premier League, këtë herë kundër Burnley. Sulmuesi tjetër Nicolas Jackson do të jetë sërish i disponueshëm në “Turf Moor”, pas pezullimit të tij, por Broja është i përqendruar të bëjë gjithçka që mundet për ta ndihmuar ekipin, që nga fillimi ose nga pankina, këdo që Mauricio Pochettino të zgjedhë në formacionin e tij në vijim:
“Do ta ndihmoj ekipin sa më shumë që të jetë e mundur duke shënuar gola. Kjo është detyra ime si sulmues, të shënoj gola dhe të ndihmoj skuadrën. I jam shumë mirënjohës trajnerit që më aktivizoi si startues ndaj Fulham dhe shënova golin tim të parë sezonal. Do të përpiqem sa më shumë që të jetë e mundur të shënoj më tepër gola dhe për ta ndihmuar ekipin.
I takon trajnerit dhe çfarë vendos ai për të ardhmen. Detyra ime është të hyj dhe të ndihmoj ekipin sa më shumë që të jetë e mundur. Nëse ai më aktivizon sërish titullar, do të përpiqem të bëj më të mirën dhe të shënoj gola. Nëse nuk më aktivizon, atëherë duhet ta mbaj kokën lart, të vazhdoj të punoj, të vazhdoj përpara dhe të përpiqem t’i shkaktoj dhimbje koke në përzgjedhje trajnerit. Është njësoj si për çdo lojtar. Ne jemi te Chelsea, çdo lojtar duhet të luftojë për vendin e tij në ekip”.
Siç përmendi Armando, fitorja ndaj Fulham ishte e dyta radhazi për blutë, pas asaj në mesjavë, në “Carabao Cup” ndaj Brighton në “Stamford Bridge”. 22-vjeçari shqiptar beson se ky mund të jetë hap i rëndësishëm në ndërtimin e një ekipi të ri nën drejtimin e Pochettino këtë sezon:
“Ai është një trajner i klasit botëror, është e mrekullueshme të luash për të. Është krenari të luash për këtë ekip dhe këtë klub, për tifozët e mrekullueshëm që kemi. Po rinovohemi si ekip, procesi nuk do të ndodhë brenda natës, e dimë këtë. Ne ishim një grup krejtësisht i ri në verë, me një sistem dhe staf stërvitor krejtësisht të ri, kështu që është e rëndësishme të vazhdojmë të punojmë së bashku, të përparojmë si ekip.
Ju e patë në këtë ndeshje që po ndryshojmë për mirë. Është e mahnitshme për ne që të marrim fitoren. Kur fitoni ndeshje, kjo sjell besim dhe pozitivitet. Është një nxitje e madhe për ne si ekip dhe klub futbolli. Kemi një ndeshje tjetër para pushimit ndërkombëtar dhe thjesht duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë. Janë tri pikë të mëdha”.