“Ua heq kuqezinjve dhe e mbajnë faqezinjtë”, Meta shpërthen për pasaportat diplomatike

6 Prill 2021
12:28
Alfred Lleshi

Nuk kanë të mbaruar reagimet kundërshtuese dhe denoncuese ndaj vendimit të qeverisë shqiptare për t’ua hequr pasaportat diplomatike heronjve të “Euro 2016”, kuqezinjve që bënë historinë. Asokohe, kryeministri Edi Rama mburrej me djemtë e kombëtares, i priste me ceremoni mbresëlënëse, i shpërbleu financiarisht dhe i quajti “ambasadorët më të mirë të vendit”. Si të tillë, meritonin të kishin pasaporta diplomatike, të cilat ua dha me afat deri më 2026.

Por, së fundi, me vendim qeverie, ky afat është kufizuar deri në qershor të këtij viti. Diçka e kontestuar fort nga kuqezinjtë dhe ish-trajneri i tyre, De Biasi. Sot ka reaguar edhe kreu i shtetit, Ilir Meta, që e konsideron vendim të pabesë dhe hakmarrës, referuar çështjes së pasaportave diplomatike të heronjve të “Euro 2016″. Ja mesazhi i tij në Facebook:

“Vendimi i pabesë për ndërprerjen e vlefshmërisë së pasaportave për Kombëtaren tonë të futbollit është i paprecedent dhe një hakmarrje primitive, për shkak të qëndrimeve kritike të disa futbollistëve për sportin.

Është absurde të pengohen të mbajnë pasaportë kuqezinjtë, që e futën Shqipërinë në Europë dhe na bënë të gjithëve krenarë, ndërkohë që vazhdojnë ta mbajnë atë faqezinjtë, që na lanë jashtë Europës dhe që po na turpërojnë.

Jam i bindur se më 25 prill 2021, do të përfundojë koha e vendimeve autoritare, arrogante dhe përjashtuese. Ky vendim i Qeverisë ende në detyrë do të përmbyset dhe nderimi për kuqezinjtë, që na çuan në Europë do të mbetet i pacënuar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit