Udhëtimi i pabesueshëm i mbrojtësit të ri të Realit, mjekët i thanë që nuk do luante kurrë futboll

20 Qershor 2019
10:39
back button

Ferland Mendy u bë këtë javë blerja e fundit e Realit të Madridit, që i pagoi 48 milionë euro Lyonit për një futbollist që ka pasur një udhëtim të pabesueshëm jete, derisa ka mbërritur në Bernabeu.

Nëntorin e shkuar Mendy debutonte me Francën, në një miqësore kundër Uruguait, duke luajtur shumë mirë, por duke dhuruar edhe ndonjë gjest teknik të panevojshëm, sepse rrezikoi jo pak me driblimet afër zonës.

Didier Deschamps nuk e pëlqeu atë mënyrë loje dhe pas ndeshjes kritikoi hapur Mendy dhe Rami, edhe pse të parin e fali pjesërisht për shkak të moshës së re. 

Megjithatë, mbrojtësi i majtë nuk shfaqi ndonjë shenjë pendese: "Edhe kur luaja për Le Havre në Ligue 2 njerëzit më thoshin që do e paguaja shtrenjtë faktin që dribloja në mbrojtje. Deri tani nuk e kam paguar, ndaj do të vazhdoj të luaj ashtu. Nëse një ditë nuk do funksionojë, do paguaj pasojat".

Nuk e vret shumë mendjen Mendy, fundja futbolli është një lojë, sado seriozisht të merret nga mediat e tifozët. Në jetën e vet djaloshi i rritur në Ecquevilly, 35 km larg Parisit, ka parë gjëra shumë më të rënda, që nuk i urohen askujt.

Në moshën 11-vjeçare i vdiq i ati, ndërsa në moshën 14-vjeçare iu zhvillua një formë artriti në kockat e legenit, aq sa mjekët i thanë që ëndrra për t'u bërë futbollist profesionist kishte marrë fund dhe e paralajmëruan se mund të mos ecte më kurrë.

Nëntë muaj kaluan pa futboll (u largua edhe nga PSG), duke qëndruar për 3 muaj në spital me këmbën në allci, por Mendy ishte i vendosur të vërtetonte se diagnoza e tmerrshme ishte e gabuar. Pak nga pak, mbrojtësi i majtë iu kthye futbollit dhe arriti maksimumin e formës fizike pa mbushur 18 vjeç, duke bindur Le Havre që ta federonte me ekipin rezervë, në kategorinë e katërt.

Dy sezone shumë të mira aty, derisa në 24 maj 2015, në një ndeshje kundër Sochaux në Ligue 2, Mendy debutoi në futbollin profesionist. 90 minuta që askush nuk i mban mend, përveç Mendy, i cili që aty nisi një rrugëtim të pandalshëm, duke u bërë titullar te Le Havre, duke u transferuar për 5 milionë euro te Lyoni në korrik 2017 dhe duke shkuar tashmë te Reali.

Deri vjet bota njihte vetëm Benjamin Mendy (edhe ai i rritur te Le Havre), tashmë Ferland e ka kaluar në hierarkinë e kombëtares dhe është cilësuar nga një agjent si "Kylian Mbappe i mbrojtësve të majtë", ndoshta edhe për faktin se kur ishte i vogël u rrit në ekipet zinxhir të PSG-së dhe fillimisht luante si sulmues. Natyrisht, tani e tutje Ferland do të jetë në qendër të vëmendjes dhe presioni do të jetë i jashtëzakonshëm, por traumat e adoleshencës nuk harrohen dhe Mendy qëndron me këmbë në tokë.

"Kam qenë gjithnjë i lumtur dhe një karakter i qetë. Me gjithçka më ka ndodhur, kam kuptuar se duhet të marrësh maksimumin nga jeta. Duhet të bësh gjërat që të pëlqejnë, sepse jeta është e shkurtër", tha Ferland në një intervistë për L'Equippe.

"Kur hoqa allçinë nga këmba nuk ecja dot dhe kalova një periudhë kohe në karrocë invalidësh. Pak nga pak, me kalimin e kohës, më mësuan si të ecja sërish".

Më pas Mendy mësoi nga e para të vraponte, të kontrollonte topin, të pasonte dhe iu deshën dy vjet derisa problemet fizike të kalonin tërësisht. PSG nuk e donte më në ekipet e moshave, ndaj në moshën 17-vjeçare Mendy shkoi tek ekipi amator FC Mantois 78, afër shtëpisë së tij. Ish-trajneri i tij te PSG, Yves Gergaud, sheh pas me keqardhje: "PSG duhej të kishte pasur më shumë besim te Ferland".

Një sezon te FC Mantois U19 i mjaftoi Ferlandit ta kuptonte që mund të bëhej ende futbollist profesionist. Johann Louvel, shefi i akademisë së të rinjve te Le Havre, mori një sinjalizim nga të njohurit e tij te FC Mantois dhe e mori Mendy në provë te Le Havre, në vitin 2013. Mendy e kaloi provën dhe ishte një ëndërr që realizohej, edhe pse fillimisht luante me rezervat. Trajnerët bënë një punë fantastike, Mendy u transformua në mbrojtës të majtë, që mësoi të mbronte, pavarësisht se kishte një prirje të theksuar për të bërë sulmuesin e krahut. 

Debutimi në Ligue 2 ishte spektakolar: në sezonin e parë në ekipin e parë Mendy u përfshi në ekipin më të mirë të sezonit në Ligue 2, dha 5 asiste dhe shënoi 2 gola, duke bindur Lyonin ta blinte, para se të bëhej pjesë e formacionit më të mirë të sezonit edhe në Ligue 1, duke pasuar Benjamin Mendy, i shpallur mbrojtësi i majtë më i mirë një sezon më parë, pas titullit kampion me Monaco.

Në nëntor 2018 Ferland i merrte vendin në kombëtare Benjaminit, i dëmtuar prej kohësh te City, ndërsa tani djaloshi që mposhti sëmundjen duhet të fitojë konkurrencën me një legjendë të Realit, brazilianin Marcelo. A ka frikë? Vështirë, sepse Ferland Mendy në jetë ka fituar beteja shumë më të vështira se kaq.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit