UEFA plas bombën, ekipi shqiptar po hetohet për trukime

7 Janar 2019
19:41
Eraldo Harlicaj
back button

Për të arritur në maje është e vështirë, ndërsa për të qëndruar në nivele të larta është sfilitëse. Luftëtari e provoi të kalonte nga parajsa në ferr pa qëndruar në purgator. Në verë luajti për herë të parë në histori në një kompeticion europian, por i skandalizoi të gjithë me humbjen 5-0 kundër Ventspilsit në Letoni dhe 3-3 në "Elbasan Arena".

Sirenat e alarmit për dyshime nga trukimet ranë që në verë. Akuza të shumta dhe dritëhije të mëdha, por në fund duket se gjërat po qartësohen. Nëse drejtuesit e kishin menduar shlyerjen e borxheve dhe futbollistëve nga fitimet e UEFA-s, diçka e tillë nuk do të ndodhë, pasi gjirokastritët janë zyrtarisht nën hetim. 

Procesi Sportiv ka zbuluar një letër që UEFA i drejton Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulkut, në lidhje me hetimin që po zhvillohet ndaj Luftëtarit dhe e informon se fondet janë të bllokuara për gjirokastritët.

Shkresa – "Kjo korrespondencë është për t’ju dhënë informacion në lidhje me shpërndarjen e pagesave të solidaritetit për klubet pjesëmarrëse në fazën kualifikuese të Ligës së Europës për sezonin 2018-2019.

KS Luftëtari është i përfshirë në disa ndeshje të Ligës së Europës të cilat janë në hetim paraprak nga Komisioni i Integritetit i UEFA sipas nenit 12 të Rregullores Disipliniore të UEFA-s. Vini re që pagesat e solidariteti janë bllokuar në pritje të përfundimit të hetimit.

Siç jeni në dijeni, UEFA ka një detyrim të mbrojë integritetin e kompeticioneve të saj dhe të parandalojë të gjitha mënyrat që mund të rrezikojnë rregullsinë e ndeshjeve apo aktiviteteve apo të lindin dyshime për abuzim me futbollin në përputhje me Nenin 2 të Statutit të UEFA.

Si rrjedhojë, ne do të kërkonim që FSHF dhe klubi në fjalë të mos bëjë asnjë komunikim publik në lidhje me këtë komunikim dhe përmbajtjen e tij. Ju do të kontaktoheni nga Komisioni i Integritetit i UEFA në momentin e duhur nëse ndonjë gjë tjetër do të kërkohet nga ju në lidhje me këtë çështje”, – përfundon dokumenti. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit