Ultrasit e Brescia, kundër Balotelli: Arroganca e tij, e pajustifikueshme

8 Nëntor 2019
9:09
Alfred Lleshi
back button

Mario Balotelli, ditët e fundit ka qenë në qendër të polemikave, pas ofendimeve raciste që mori nga një pjesë e tifozëve të Verona. Por tani, edhe tifozët e skuadrës së tij nuk janë gojëmjaltë për sulmuesin. “Arroganca që duket se shkëlqen përmes personit të tij nuk është e justifikueshme, veçanërisht kur e demonstron atë në fushë dhe bëhet shkak për destabilizimin e ekipit dhe tension e siklet për tifozët”. Kjo është ajo që lexojmë në një mesazh të tifo-grupit “Ultras Brescia 1911-Ex Curva Nord”, i cili përfaqëson një pjesë të mirë të tifozërisë së Brescia. Pastaj, vazhdohet me akuzat kundër Mario: 

“Jemi jashtëzakonisht të bindur që Balotelli është në të vërtetë një italian, dhe, për aq sa jemi të interesuar, edhe nga Brescia (megjithëse ai gjithmonë ka treguar pasionin për Milanin). Sidoqoftë, ai duhet të jetë i bindur për një gjë: është nga Brescia dhe luan për Brescia, ndaj përkushtimi për kauzën e ekipit dhe angazhimi duhet të jetë i barabartë, ose edhe më i madh se i bashkëlojtarëve. Mbi të gjitha, duhet të japë më shumë se deri më sot. Me këtë nuk po iu referohemi dy golave të vetëm të shënuar, për më tepër të parëndësishëm”.

Tifozët e Brescia nuk e kanë kapërdirë dot sjelljen e Balotellit, një nervozizëm, që ata e konsiderojnë të pajustifikuar: “Për ne, në fakt, ajo që ka më shumë rëndësi është fryma e sakrificës, pasionit, respektit, motivimit, fanellës së djersitur, koncepte që për momentin do të dukeshin të panjohura për të (shpresojmë që së shpejti, ai të na vërtetojë se e kemi gabim.) Askush nuk ka bërë kurrë presioni ndaj tij, kështu që nervozizmi që e kap sa herë (jo vetëm në Verona) është i pajustifikuar, të paktën për ne”.

Në fund, ultrasit e Brescia kalojnë te kapitulli “Verona”, te fyerjet raciste ndaj Balotelli në “Bentegodi”: “Provokimet ndaj tij ishin vërtet të rënda. Kjo, pa dyshim nuk do të thotë se krejt tifozët e Verona janë racist. Sjellja e disave prej tyre ishte e papranueshme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit