Një nokaut kaq i rëndë në derbi mund të ketë pasoja edhe në sfidat në vijim. Rezultati 5-1, me të cilin Milani u mund në ndeshjen e fundit ndaj Interit, ka krijuar pakënaqësi të mëdha në mjedisin kuqezi, me Stefano Piolin që konsiderohet përgjegjësi kryesor për këtë turpërim.
Menjëherë pas derbit, shumë tifozë kuqezinj filluan të përhapin hashtagun #PioliOut në rrjetet sociale. Madje edhe grupi ultras “Banditi Curva Sud” ka rishpërndarë postimin e drejtuesit të vet, ku në shënjestër është trajneri i Milanit dhe stafi i tij:
“Për ty, i dashur Milan, nuk është çështja të humbasësh derbin, por si ta humbasësh përsëri në të njëjtën mënyrë. Pioli është mjeshtër për këtë. Ndoshta dikush duhet t’ia vërë gishtin kokës se si të përgatitet për këtë ndeshje”.