Tenistja 19-vjeçare amerikane Coco Gauff dhe ajo 25-vjeçare bjelloruse Aryna Sabalenka janë dy finalistet e grand slam të US Open, që po zhvillohet në Nju Jork. Përballë njëra-tjetrës do të jenë numrat 2 (Sabalenka) dhe 6 në botë (Gauff), në një finale të veçantë, teksa fituesja do të ngrejë për herë të parë trofeun e US Open.
Sabalenka këtë vit ka fituar edhe në Australian Open dhe luan finalen e dytë në karrierën e saj në një grand slam. Edhe për Gauff kjo është finalja e dytë në një grand slam, por ka humbur të parën (Roland Garros, 2022). Këtë herë ajo luan para tifozëve të saj, që shpresojnë që një amerikane të fitojë turneun e shtëpisë.
Në gjysmëfinalen e parë, Sabalenka mundi 2-1 me përmbysje amerikanen Madison Keys (0-6, 7-6, 7-6). Një fitore e vështirë e bjelloruses, që e nisi shumë keq ndeshjen, por më pas arriti të fitojë dy setet e tjera në “tie break”, duke qenë më e saktë në momentet vendimtare.
Edhe Gauff vuajti disi ndaj çekes Karolina Muchova, ndaj së cilës fitoi 2-0 (6-4, 7-5). Të dyja tenistet dueluan fort, por në fund triumfoi Gauff. Për t’u theksuar fakti se kjo ndeshje nisi 50 minuta me vonesë, për shkak të disa protestave për ndryshime klimaterike që u zhvilluan në stadium.