Uzuni bën “spiunin” në mediat hungareze: Besojmë te vendi i dytë, fitoftë më i miri!

8 Tetor 2021
13:21
Alfred Lleshi

Myrto Uzini luajti si tuitullar në ndeshjen e shtatorit ndaj Hungarisë, në “Elbasan Arena”. Gjasat janë që ta bëjë këtë gjë edhe nesër, në “Puskas Arena”, pa praninë e tifozëve. Shqiptari i Ferencváros ka dhënë një intervistë për gazetën hungareze “Nemzetispor”, ku ka bërë prognozën e përballjes vendimtare mes dy kombëtareve tona.

Pas kualifikueses së shtatorit, bashkëlojtarët te Ferencvaros nuk ju panë të buzëqeshur, e lëre më t’i ngacmoje humbësit…
Nuk do të ishte e drejtë! Futbolli, veçanërisht ndeshjet e ekipit kombëtar, nuk janë shaka. Ne ishim më mirë në Elbasan dhe morëm tri pikët. Nuk do të kishte qenë e drejtë nga ana ime nëse do t’i ngacmoja shokët e mi të ekipit. Ekziston një situatë kur mund ta ngacmoni tjetrin me rezultatin, ky nuk ishte rasti.

Çfarë mendoni se bëtë më mirë se kombëtarja hungareze në fillim të shtatorit? Si e mundët Marco Rossi?
Është e qartë se ne ishim më të motivuar. Ne donim fitoren patjetër, tri pikët. Për grupin, fitorja ishte e rëndësishme, i mbajtëm gjallë shanset tona, gjithashtu luajtëm për trajnerin Edoardo Reja. Ne e konsiderojmë atë një profesionist të shkëlqyer, një trajner të madh. Ishte e qartë se ne po luftonim edhe për të.

Përplasja e së shtunës mbrëma po afron. A kërkojnë shokët tuaj të kombëtares info mbi Budapestin?
Përmenden shpesh kualifikueset e Kupës së Botës. Ata e dinë që unë jetoj në Budapest, luaj te Ferencváros. Nëse jo të gjithë, por disa nga shokët e mi të skuadrës ishin kuriozë për jetën këtu.

Çfarë iu the atyre?
Se Hungaria është një vend i bukur. Më pëlqen të jetoj në kryeqytetin hungarez. Ajo që theksova gjithashtu është se njerëzit, tifozët, jetojnë dhe vdesin për ekipin kombëtar. Ashtu sikurse ndodh me ne në Shqipëri. Biletat për ndeshjet mbarojnë brenda pak sekondash, siç ndodh në Shqipëri. Çështja tjetër është se të shtunën do të luajmë me stadiumin bosh.

A të vjen keq për këtë?
Më vjen pak keq! Kam parë Kampionatin Evropian se çfarë atmosfere e frikshme për kundërshtarin krijohet në “Puskás Arena”. Do të ishte mirë të luanim futboll në një mjedis të tillë. E pranoj, me shkallët të mbushura me tifozë, para 60 mijë hungarezëve, natyrisht është më mirë të vraposh në fushë si një lojtar hungarez sesa shqiptar. Nuk është një avantazh për ne që të mos ketë tifozë në stadium, pasi Hungaria tashmë ka arritur rezultate të mira. Është e vështirë të parashikosh se çfarë do të sjellë kjo përplasje.

A besoni vërtet te vendi i dytë në grup?
Po, edhe ne lojtarët besojmë në të. Para dy ndeshjeve të radhës jemi prapa anglezëve, duke rivalizuar me Poloninë dhe Hungarinë pas nesh. Nuk po them se do të jetë e lehtë të sigurojmë vendin e dytë, por nuk është e pamundur. Kemi një ekip të mirë, me lojtarë plot përvojë, që stërviten në ligat evropiane. Edhe qëndrimi i tifozëve shqiptarë është i tillë, ata kurrë nuk heqin dorë.

Cila mendoni se është kombëtarja më e mirë, hungarezja apo shqiptarja?
Të dyja janë ekipe të forta, të organizuara. Nuk dua të bëj deklarata bombastike, fitoftë më i miri të shtunën. Ajo do të jetë edhe përgjigjja për këtë pyetje.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit