Uzuni “prenoton” golin ndaj Polonisë: Kam oferta nga Premier League dhe Serie A

22 Mars 2023
14:14
Alfred Lleshi
back button

Kombëtarja jonë kuqezi vijon përgatitjet për kualifikuesen e “Euro 2024”, të cilën do ta luajë më 27 mars në Varshavë, ndaj Polonisë vendëse. Starti i një fushate të tillë eliminatoresh është shumë domethënës, si për mirë, edhe për keq.

Rasti e sjell që trajneri Sylvinho të debutojë në stolin e “shqiponjave” pa ndonjë provë gjenerale të mëparshme në ndonjë miqësore, ndaj të panjohurat konsiderohen të mëdha për të gjithë. Në konferencë për shtyp sot doli një nag lojtarët më produktivë të kombëtares, Myrto Uzuni, i cili ka shënuar rregullisht me klubin e tij në Spanjë.

Në fjalën e tij para gazetarëve, beratasi bëri prognozën e tij për transfertën me Poloninë: “Kam shënuar 20 gola dhe nuk kam mbaruar me kaq. Sa i përket kombëtares ndihem shumë i lumtur që jam ftuar. Është gjëja më e madhe për një futbollist. Në fushë ndihem më mirë si qendërsulmues.

Ndryshimet në futboll duhen. Jam i lumtur për ndryshimin e drejtimit në kombëtare. Është frymë e re, mentalitet i ri. Duam rezultate pozitive. Iu uroj mirëseardhjen edhe lojtarëve të rinj.

Përgjegjësia me kombëtaren? Siç e thashë dhe më parë, kur vjen në ekipin kombëtar, pesha që ke mbi supe është e madhe. Kam më shumë eksperiencë dhe jam më i gatshëm tashmë, koha do ta tregojë secilin më së miri.

Sylvinho? Kam pasur një telefonatë me të që kur isha në Granada. I urova mirëseardhjen. Ai ka shumë besim tek unë dhe shpresoj t’ia shpërblej. Them që mentalitetin e ka ndryshe nga Edy Reja. Trajnerët janë shumë të ndryshëm me njëri-tjetrin, nuk mund të flas para kohe.

Mesatarja e golave? Kur futëm në fushë mendoj vetëm të shënoj. Kjo është puna ime, që e bëj më së miri. Uroj të shënoj në Varshavë. Jam më i qetë me Sylvinhon trajner, sepse kërkon lojë më sulmuese. Në lojën sulmuese dalin në pah vlerat e mia.

E ardhmja? Kur shënon kaq shumë gola në Spanjë ku ndiqesh shumë, merr edhe oferta. Konkretisht kam oferta nga Premier League dhe Serie A. Megjithatë, kam ardhur në kombëtare dhe nuk mendoj asgjë tjetër veç ndeshjes me Poloninë. Jam këtu për të dhënë më të mirën. Asnjëherë nuk jam i kënaqur me veten.

Përgjegjësia e shënimit të golave ndaj Polonisë na takon ne sulmuesve, por mbrojtja me mesfushën duhet ta sjellin topin deri te ne. Qasja taktike në Poloni? Të them të drejtën, siç e shoh unë, me Sylvinho do të luajmë në sulm. Pra, na pret një ndeshje ofensive dhe jo difensive në Varshavë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit