Valentino Rossi në podium me Ferrari në garën 12-orëshe në Bahrein

11 Janar 2021
11:46
Gentian Spiri

Valentino Rossi e ka mbyllur në vendin e tretë në kategorinë ProAm aventurën e tij në garën 12-orëshë të Bahrein. Piloti italian i MotoGP pilotoi në këtë garë makinën Ferrari 488 GT3, bashkë më vëllanë e tij Luca Marini dhe mikun e ngushtë Alessio Salucci.

Ndërsa në klasifikimin e përgjithshëm të kësaj gare, Rossi u klasifikua në vendin e katërt. Një rezultat i mirë i treshes italiane, që nuk bënë asnjë gabim gjatë garës. Madje ata rikuperuan katër pozicione, duke qenë se u nisën nga vendi i shtatë.

“U argëtuam dhe arritëm të ngjitemi në podium. Jemi të kënaqur, pasi kishte shumë rivalitet dhe makinat ishin të gjitha të shpejta. U treguam më të shpejtë në pjesën e dytë të garës, atë që zhvillohet gjatë natës. Ishte një përvojë fantastike”, tha Rossi.

Gara u fitua nga makina McLaren 720S GT3, e pilotuar nga treshja Abdulla Alkhalifa, Ben Barnicoat dhe Martin Kodric.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit