Valverde “shenjtëron” Messin: Falë tij, kemi gjithmonë një avantazh të madh

2 Dhjetor 2019
9:40
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ishte i lumtur me fitoren kundër një rivali të drejtpërdrejtë si Atlético Madrid, aq më tepër që ajo u arrit në një mjedis të komplikuar si “Wanda Metropolitano”: “Jam i lumtur, sepse ishte një ndeshje shumë e vështirë, siç e prisnim. Morëm tri pikë shumë të rëndësishme, sepse këtu vuan gjithmonë. Mbi gjithçka, vështirësia u shtua nga shiu që ra para dhe gjatë ndeshjes. Fusha nuk ishte në kushtet më të mira, por në fund ia dolëm. 

Ne jemi të parët në renditje, por të lidhur me Real Madridin. Klasifikimi është shumë i ngushtë. Ka shumë ndeshje për të vendosur fatin e kreut. Pikët janë të rëndësishme, sepse e mbajmë kryesimin, por nga këndvështrimi emocional është e rëndësishme që të shkojmë në Krishtlindje me besim. U munduam të bëjmë lojën tonë dhe të mos befasoheshim nga kundërsulmi i kundërshtarit. Atletico Madrid është një ekip shumë i fortë në mbrojtje, që del mjaft mirë në kundërsulm.

Me kalimin e kohës kemi qenë më të mirë dhe pjesën e dytë ishim më afër zonës kundërshtare, për të rrezikuar. Në fund, Leo ka dalë në pah me lojën e jashtëzakonshme dhe fituam. Në ndeshje të tilla tepër të ekuilibruara, ku përballen skuadrat që janë gjithmonë në krye, të kesh Messin është gjithmonë një avantazh i madh. Në fushë ishin edhe dy portierë, që bënë mrekulli me pritje të mëdha. Kjo është ajo që kërkohet nga portierët dhe Ter Stegen mbetet në majë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit