Van Dijk zotohet publikisht: Do të kthehem më i mirë dhe i fortë

19 Tetor 2020
11:20
Alfred Lleshi
back button

Virgil van Dijk ka folur për herë të pare, pas dëmtimit në derbin e Merseyside, të së shtunës së kaluar, që duket se e ka mbyllur sezonin për të. Qendërmbrojtësi i Liverpool zotohet se do të kthehet më i mirë dhe më i fortë se kurrë më parë. Hollandezi duhej ta braktiste fushën brenda çerekorës së parë të barazimit 2-2 me Everton, pas një ndërhyrje të rëndë nga portieri Jordan Pickford.

Skanimet e mëvonshme kanë konfirmuar dëmtim të ligamentit të përparmë, çka do të thotë kohë e gjatë larg fushave të blerta. Përmes rrjeteve sociale, 29-vjeçar falënderoi mbështetësit për fjalët ngushëlluese: “Sot pasdite u takova me një konsulent kryesor për të filluar procesin e planifikimit të detajeve më të hollësishme të rehabilitimit tim, pas dëmtimit në derbi. Tani jam plotësisht i përqendruar në shërimin tim dhe do të bëj gjithçka që mundem për t’u kthyer sa më shpejt të jetë e mundur.

Pavarësisht nga zhgënjimi i dukshëm, unë jam një besimtar i patundur se brenda vështirësisë qëndron mundësia dhe me ndihmën e Zotit do të sigurohem që të kthehem më i mirë dhe më i fortë se kurrë më parë.

Në futboll, ashtu si në jetë, unë besoj se gjithçka ndodh për një arsye dhe është e rëndësishme të përpiqesh të mbash nivelin e duhur, qoftë duke kaluar nivelet e larta apo të ulta. Me mbështetjen e gruas sime, fëmijëve, familjes dhe të gjithëve te Liverpool, jam gati ta përballoj sfidën që kam përpara.

Unë do të doja t’i falënderoja të gjithë për mesazhet e mbështetjes. Kjo do të thotë shumë për mua dhe familjen time. Tani do të bëj gjithçka që është e mundur për të mbështetur shokët e mi të skuadrës. Do të rimëkëmben nga dita në ditë, derisa të kthehem”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit