Van Gaal tregon sekretin e “nipave të Cruyff”, i llogarit në finale

18 Prill 2019
15:16
Alfred Lleshi
back button

Legjenda holandeze e futbollit, Louis van Gaal, ka dhënë një intervistë për FIFA-n. Në të ka folur edhe për futbollin e shkëlqyer, që po luan Ajax në këtë edicion të Champions-it. Madje, e shikon skuadrën e kryeqytetit të vendit të tij në finale. 

Pas paraqitjeve mbresëlënëse ndaj Real Madridit dhe Juventusit, "nipat e Cruyff" kanë marrë lavdërimet edhe të Van Gaal, trajnerit që dikur e ka drejtuar këtë skuadër për gjashtë vite: "Futboll krijues, me një ekuilibër të mirë mes sulmit dhe mbrojtjes. Ky është Ajax-i aktual, që e tregoi veten qysh në ndeshjen kundër Bayern Munich, në grupe. E them me bindje, ky Ajax mund të shkojë deri në finale".

Van Gaal ka folur edhe për sekretin kryesor, që e bën të tillë Ajax-in aktual, duke pasur parasysh pikat e referimit: De Jong dhe De Ligt. Ai nuk harron të kujtojë vitin 1995, kur skuadra holandeze humbi vetëm një ndeshje gjatë gjithë sezonit dhe u kurorëzua kampione Europe, pasi mundi Milanin në finale. Ishte vetë trajner i saj:

"Për mua ishte mjaft normale në atë kohë që t’iu jepja lojtarëve të rinj një shans, edhe pse trajnerët bëjnë shumë më pak tani në këtë drejtim. Eksperienca bën ndryshimin në futboll, por nëse janë mjaft të mirë, duhet të besosh edhe te të rinjtë, sepse të shpërblejnë".

Në fund, Van Gaal foli edhe për Premier League dhe arsyen pse vendosi të trajnojë Manchester Unitedin, një ekip që holandezët e konsiderojnë "klubi më i mirë absolut në Angli": "Mendova se do të përjetoja një eksperiencë të madhe në Angli, sidomos për shkak të atmosferës, të stadiumeve plot. Më pëlqen futbolli intensiv, me presion të madh. Kjo ishte edhe arsyeja pse zgjodha Manchester United, sepse është absolutisht klubi më i mirë në Angli".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit