VAR-i dhe penalltia vendosin ndeshjen Laçi-Tirana, Josa “vulos” rekordin historik

14 Dhjetor 2021
15:51
Alfred Lleshi

Dëshirë e madhe për fitore nga të dyja skuadrat, grintë në fushë, momente tensioni në tribuna mes tifozërive, por zhbllokimi do të vinte në fund, pikërisht atëherë kur u mendua se po mbyllej e gjitha në barazim pa gola. Penalltia ka prishur ekuilibrin, duke i dërguar tri pikët në llogarinë e vendësve. Laçi ka mposhtur minimalisht Tiranën “in extremis” në përballjen mes tyre, në kuadrin e javës së 13-të të Superiores.

Mirel Josa ka vendosur rekordin e ndeshjeve si trajner në vendin tonë sot. Plot 613 ndeshje ka drejtuar trajneri kryeqytetas në karrierën e gjatë gati 20-vjeçare. Askush tjetër si ai, që rekordin e rekordit e ka me Skënderbeun në vitet 2012-2016, me 170 ndeshje të drejtuara.

Kujtojmë se Josa e ka nisur si trajner me Tiranën (ku ka luajtur edhe si futbollist në Shqipëri) qysh në vitin 2003, ndërsa në karrierë ka drejtuar Vllazninë, Elbasanin, Teutën, Shkumbinin, Prishtinën, Kukësin dhe tani Laçin.

Në këtë ditë të veçantë, Josa festoi ndaj skuadrës së zemrës, me të cilën është i lidhur genetikisht. Nga ana tjetër, Orges Shehit i ka iku nga dora pika e vetme, me të cilën do të ishte deri diku i kënaqur, sepse transferta kurbinase konsiderohet e vështirë për këdo.

Kanë munguar rastet e pastra për shënim, sidomos nga kryeqytetasit, me mbrojtjet respektive në lartësinë e duhur. Laçi i është afruar ndjeshëm golit dy herë: në fund të pjesës së parë, nga një goditje dënimi. Topi është larguar nga vija fatale prej Hoxhallarit, i cili ka shpëtuar të tijtë nga ndëshkimi.

Në minutën e 76-të, portieri Bekaj e ka grushtuar keq një top në zonën e tij, topi endet në rrëmujë mes këmbëve të futbollistëve. Kurbinasit nuk e shfrytëzojnë si duhet këtë mundësi të artë, më e volitshmja e ndeshjes.

Rasti që vendosi fatin e ndeshjes i përket minutës së 86-të. Portieri Bekaj ndërhyn në mënyrë të diskutueshme ndaj kundështarit, vendësit kërkojnë penallti. Kryesori Cjapi fillimisht nuk e ka drejtuar dorën nga pika e bardhë, por më pas ka marrë sinjal nga VAR-i. Pasi e ka parë momentin me pamje filmike në monitor, ka akorduar penallti. Lushkja nuk ka gabuar përballë portierit bardheblu, duke iu dhënë fitoren e çmuar të tijve.

Bardheblutë kanë ruajtur kreun, në kuotën e 27 pikëve, me një distancë prej 3 pikësh nga vendi i dytë, që aktualisht mbahet nga Vllaznia. Nga ana tjetër, Laçi pozicionohet i katërti pas kësaj jave, me 21 pikë.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit