Vdekje nga pakujdesia, rrezikojnë 8-25 vite burg. Stafi mjekësor i Maradonës përfundon në gjyq me akuza të rënda

23 Qershor 2022
9:10
Alfred Lleshi
back button

Tetë veta personel mjekësor do të dalin në gjyq me akuzën për neglizhencë kriminale në vdekjen e futbollistit legjendar argjentinas Diego Maradona. Një gjykatës ka urdhëruar gjyqin për vrasje nga pakujdesia, pasi një panel mjekësor zbuloi se trajtimi i Maradonës ishte i mbushur me “mangësi dhe parregullsi”.

Maradona vdiq në nëntor 2020 nga një atak në zemër në Buenos Aires, në moshën 60-vjeçare. Ai ishte duke u rikuperuar në shtëpi nga operacioni për mpiksje gjaku në tru në fillim të atij muaji. Disa ditë pas vdekjes së tij, prokurorët argjentinas nisën një hetim ndaj mjekëve dhe infermierëve të përfshirë në kujdesin ndaj tij.

Vitin e kaluar, paneli prej 20 ekspertësh të caktuar për të ekzaminuar vdekjen e “10” zbuloi se ekipi mjekësor i Maradonës veproi në një “mënyrë të papërshtatshme, të mangët dhe të pamatur”. Ai gjithashtu arriti në përfundimin se “ish-futbollisti do të kishte pasur një shans më të mirë për të mbijetuar me trajtim adekuat në një strukturë të përshtatshme mjekësore”.

Mes atyre që përballen me akuzat janë neurokirurgu dhe mjeku personal i Maradonës, Leopoldo Luque, një psikiatër dhe psikolog, dy mjekë, dy infermiere dhe shefi i tyre. Ata të gjithë kanë mohuar përgjegjësinë për vdekjen legjendës së futbollit.

Të tetë do të gjykohen sipas një përkufizimi ligjor të vrasjes, bazuar në neglizhencën e kryer, duke ditur se kjo mund të çonte në vdekjen e një personi. Sipas kodit penal të Argjentinës, krimi mund të dënohet nga 8 deri në 25 vite burg. Një datë për gjykimin nuk është caktuar ende.

Mario Baudry, avokat i një prej djemve të Maradonës, i tha “Reuters” se legjenda e futbollit ishte “në një situatë pafuqie” në kohën e vdekjes së tij: “Sa pashë shkakun thashë se ishte vrasje. Kam luftuar për një kohë të gjatë dhe ja ku jemi, me këtë fazë të hetimeve të përfunduara”.

Procedurat ligjore u nxitën nga një ankesë e paraqitur nga dy vajzat e Maradonës. Ato ngritën shqetësime për trajtimin e babait të tyre pas operacionit në tru. Në një konferencë shtypi emocionale në nëntor 2020, Dr Luque u përlot, duke thënë se kishte bërë gjithçka që mundej për të shpëtuar jetën e mikut të mirënjohur.

Në një moment, doktori iu përgjigj gazetarëve: “Doni të dini se për çfarë jam përgjegjës? Që e kam dashur atë, që jam kujdesur për të, që ia kam zgjatur jetën, që e kam përmirësuar deri në fund. Kam bërë gjithçka që mundesha, deri në të pamundurën”.

Diego Maradona konsiderohet kryesisht si një nga futbollistët më të mëdhenj që ka luajtur ndonjëherë. Ai ishte kapiten kur Argjentina fitoi Kupën e Botës 1986, duke shënuar golin e famshëm me dorë, që u quajt “Dora e Zotit”, kundër Anglisë në çerekfinale. Gjatë gjysmës së dytë të karrierës së tij, Maradona luftoi me varësinë nga kokaina dhe u pezullua për 15 muaj, pasi u testua pozitiv për drogën më 1991.

Lajmi për vdekjen e tij tronditi botën e futbollit. Vendi i tij, Argjentina, ra në zi të thellë, me mijëra njerëz qëndruan në radhë për orë të tëra për të ecur pranë arkivolit të “10” në pallatin presidencial të Buenos Aires.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit