Veseli “driblon” mungesat e Kumbullës dhe Gjimshitit: Vlen grupi, kush është në kombëtare meriton të luajë

21 Shtator 2022
14:39
Alfred Lleshi
back button

Në krah Sokol Cikalleshit, në konferencën e sotme për shtyp ka dalë edhe Frederic Veseli. Pra, dy ekstremet e formacionit të mundshëm kuqezi, nga të cilët pritet shumë në transfertën e 24 shtatorit në Izrael. Kavajasi ka misionin të shënojë, ndërsa lojtari i Benevento të mbushë “gropat” e krijuara nga mungesat e Kumbullës dhe Gjimshitit në prapavijë:

“Kemi mungesa të rëndësishme, por nuk ndodh për herë të parë. Ne nuk i japim shumë rëndësi individualitetit, por grupit, jemi të përqendruar për të bërë një ndeshje të mirë. Na duhen 3 pikë, synojmë fitoren. Unë ndihem më mirë në qendër të mbrojtjes, kam disa vite në këtë rol. Në krah kam luajtur kur ishte nevoja, si në klub dhe në kombëtare.

Kalimi te Benevento? Më kërkoi me ngulm, është ekip me ambicie për Serie A. Kam fituar 2 kampionate në Serie B me Empolin dhe Salernitana. Te Salernitana nuk pata sezon të mirë për shkak lëndimesh dhe problemeve me trajnerin. M’u dha mundësia nga Benevento dhe e pranova si ofertë.

Kundër Izraelit në shtëpi bëmë një ndeshje të mirë difensive, por u ndëshkuam nga gabimet individuale. Nuk është se Izraeli bëri diçka më shumë se ne. Humbja erdhi nga ana jonë. Çdo lojtar duhet të marrë përgjegjësi dhe të japë maksimumin në funksion të grupit.

Gjenerat e re e kombëtares ka shumë ambicie, shihet se çdo lojtar rritet në klube të mëdha që tani. Kemi cilësi në kombëtare, shoh ekuilibër mes eksperiencës dhe talentit. Çdo lojtar që vjen këtu, i ri apo i vjetër, nëse e meriton do të luajë para të tjerëve”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit