Veseli “driblon” trajnerin Reja, e kënaqin 6 pikë në dy eliminatoret e radhës

3 Qershor 2019
11:59
Alfred Lleshi
back button

Nga Franfurti, ku vijon grumbullimin dhe përgatitjet për eliminatoret e këtij muaji, prej ditës së djeshme, kanë dalë në konferencë për shtyp dy lojtarë kuqezinj: Bekim Balaj dhe Frederik Veseli. Ky i dyti ka pasur mundësinë të drejtohet nga tre trajnerë në kombëtare, por është pyetur për ndryshimet te Shqipëria, nga Panucci te Reja:

 “Janë dy trajnerë shumë të ndryshëm. Secili ka sjelljen dhe mënyrën e vet të të punuarit. Edhe në klubin tim kam pasur disa trajnerë të ndryshëm. Secili trajner, ashtu si secili lojtar, ka mënyrën e vet të punës. Kuptohet, ka ndryshime mes trajnerëve, por është shumë herët për ta vlerësuar punën e Edy Reja. Pastaj, nuk është puna ime kjo, por të jap më të mirën në fushë, të marrim rezultate pozitive dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë”.


Ka optimizëm në radhët e kuqezinjve, para përballjes së 8 qershorit me Islandën, në fushën e kësaj të fundit, dhe pas katër ditësh me Moldavinë, në “Elbasan Arena”. Mbrojtësi Veseli nuk bën përjashtim, ndaj shpalos objektivin: “Kuptohet, me 6 pikë do të ishim të kënaqur në këto dy ndeshje, por në futboll nuk fiton përherë. Përqendrimi ynë është te ndeshja e parë, po mendojmë vetëm për Islandën. Meqë kemi në drejtim një trajner të ri, shpresojmë të bëjmë një paraqitje sa më pozitive”. 

Ka vlerësim, por jo frikë për kundërshtarin e radhës, çka duket edhe në fjalët e Veselit: “Islanda? Besoj se është një kundërshtar i fortë. Si çdo skuadër, sikurse ndodh edhe në jetë, pasi arrin një kulm, vjen rënia. Kjo ka ndodhur edhe me Islandën, pas “Euro 2016”. Nuk është në momentin e saj më të mirë, ashtu si edhe ne, në fakt. Gjithsesi, shpresoj të paraqitemi mirë dhe të dalim me fitore. Nuk e kemi studiuar ende kundërshtarin, pasi jemi marrë me veten tone deri tani. Besoj se nga sot do të njihemi me mënyrën se si luan Islanda dhe do t’i marrim masat”.

Empoli zbriti nga Serie A, ndaj mbrojtësi ynë kuqezi do të jetë i detyruar të luajë një kategori më poshtë në Itali. Veseli mbetet i hapur për ndonjë ofertë, sepse beson se mund të luajë në nivele të larta: “Unë kam edhe dy vite kontratë, jam lojtar i Empolit. Po të krijohet një mundësi më e mirë për mua dhe klubin, do të ishte ideale. Jam i bindur se i kam mundësitë të luaj në një kampionat me nivel më të lartë se Serie B. Megjithatë, le të shohim çfarë do të ndodhë në merkaton e verës. Për momentin mendoj vetëm për kombëtaren, asgjë tjetër”. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit