Vetë ka luajtur me kombëtaren kuqezi, familja bëri tifo mbrëmë për Francën… (fotot)

18 Nëntor 2019
15:59
Alfred Lleshi
back button

Ai ka luajtur 19 ndeshje me kombëtaren e madhe të Shqipërisë. Ka drejtuar si trajner edhe kuqezinjtë U-21, por duket se familjen e paska tifoze me kampionët e botës. Të paktën kështu ka lënë të kuptohet Redi Jupi me fotot që ka publikuar së fundi në Instagram. Sikurse duket, tre fëmijët e tij, bashkë me bashkëshorten, kanë qenë “stolisur” si tifozë transalpinë mbrëmë, në “Air Albania Stadium”, gjatë ndeshjes Shqipëri-Francë 0-2. Përveç “vulave” trekolorëshe në fytyrë, ato nuk kanë hezituar të shpalosin edhe flamurin francez. 

Madje, njëri nga djemtë e Jupit kishte veshur fanellën më numrin 10 të Francës, me Mbappe të shkruar mbas. Vajza dhe djali tjetër kishin numrat 7, ato të Griezmann. Për të mos krijuar keqkuptime, apo quajtur “tradhtar”, ish-kapiteni i spikatur i Dinamos, tashmë me një akademi futbolli private, ka lënë mesazhin sqarues: “Unë me Shqipërinë në çdo ndeshje, pjesa tjetër në çdo ndeshje, përveçse kundra Francës”.

Shumëkush mund të pyesë nga vjen kjo “frankofoni” e familjes së Jupit? Gruaja e tij ka mbaruar studimet në Francë, ashtu si babai i saj, profesori i njohur neuro-kirurg shqiptar, Mentor Petrela, që ka kryer edhe specializimet në këtë vend të zhvilluar, madje jep mësim atje dhe kryen operacione të fushës së tij. Për pasojë, lidhja është e justifikuar dhe nuk përbën “tradhti” në këtë rast…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit