Ruud van Nistelrooy, favorit për stolin e klubit të njohur

16 Dhjetor 2019
12:17
Alfred Lleshi
back button

PSV ka pushuar nga puna trajnerin Mark van Bommel, pas humbjes 3-1 ndaj Feyenoord, të dielën në “Eredivisie”. Një “hat-trick” i Steven Berghuis e kishte vendosur Feyenoord në epërsinë 3-0 deri në minutën e 64-t, ndërkohë që më vonë, Gaston Pereiro shënoi të ashtuquajturin gol nderi për miqtë. Humbja e katërt sezonale e la PSV në vendin e katërt të kampionatit holandez, me 10 pikë pas liderëve dhe kampionëve në fuqi, Ajax. Kujtojmë se janë luajtur 17 ndeshje të këtij kampionati.

Vetëm 2 fitore në 12 ndeshje, në të gjitha garat, e kanë detyruar bordin e klubit holandez të shkarkojë trajnerin, që drejtonte aty prej një viti e gjysmë. Pra, Van Bommel e ka përfunduar këtë eksperiencë të hënën në mëngjes. PSV, gjithashtu, ka zbuluar se do të emërojnë një zëvendësues të përkohshëm për Van Bommel, më vonë, të hënën, me trajnerin e U-19, Ruud van Nistelrooy, në mesin e atyre që mendohet se janë në garë për pozicionin. Drejtori i përgjithshëm i PSV, Toon Gerbrands, lëshoi një deklaratë, që konfirmon: 

“Ecuria është shumë negative dhe e padenjë për PSV. Ndeshjet janë momente përcaktuese, por procesi rreth tyre është gjithashtu vendimtar. Ne e monitorojmë intensivisht këtë aspekt. PSV është një klub, ku përpiqemi të ndihmojmë dhe mbështesim njëri-tjetrin. Kështu ka qenë edhe në muajt e fundit. Interesi i klubit ka qenë gjithnjë i rëndësishëm dhe vlerësimi përfundimisht ka rezultuar i tillë. Morëm këtë vendim të dhimbshëm. Të gjithë kemi bërë gjithçka për të ndryshuar situatën, por për fat të keq kjo nuk funksionoi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit