VIDEO: Arbitër komik e polici tragjike, kështu u gatua çorba në Fushë-Krujë

18 Mars 2019
11:45
back button

90 minuta betejë, gjithçka normale mes Kastriotit e Tiranës, ku përtej fushës jo perfekte, anormal ishte vetëm… arbitri! 

Një penallti komike për Kastriotin, në një kohë që kishte dy faulle rresht në favor të Tiranës, ishte sinjali më i qartë që zoti Olsi Sokoli është i paaftë, ose ishte futur me plan të paracaktuar në kokë. Jo rastësisht, Sokoli duhej të gjykonte Skënderbeu-Kukësi dhe para ndeshjes u ndryshua, pasi Skënderbeu refuzonte të luante me të në fushë. Mos janë gjë budallenj në Korçë?!

Përveç penalltisë, arbitri bëri edhe gafa të tjera, ku spikat një karton i verdhë në dëm të Erando Karabecit, një moment ku realisht Karabeci e kishte pësuar faullin nga lojtari i Kastriotit. Me pak fjalë, Tirana humbi pikë e lojtarë nga ky arbitër, që me shumë gjasa ndo të bëjë sërish pushim disa muaj, si ndodhi pas Flamurtari-Kukësi, ku u akuzua nga vlonjatët.

Gjithsesi, Tirana nuk është nga ato klube që i ndërron arbitrat me hir a me pahir, ndërsa humbjen e pranoi qetësisht, fundja nuk i iku titulli nga duart për 3 pikët e lëna në Krujë. Megjithatë, trajneri Ardian Mema kishte të drejtën e vet të shkonte tek arbitri dhe t'ia thoshte dy fjalë, si ndodh kudo nëpër Shqipëri e botë.

Këtu hyn në skenë policia jonë e dashur, që më në fund u kthye në stadiume, por për fat të keq nuk e di ku nisin e ku mbarojnë detyrat e saj. Nga frika e ngjarjes në Kamzë, disa policë iu vërsulën Memës të frikësuar nga ndonjë konfrontim fizik i trajnerit bardheblu me arbitrin Sokoli. Frika duhet të ekzistojë, gjithnjë, por sjellja e policëve ishte anormale. Agresivitet i panevojshëm, amatorizëm total dhe të shtyra a thua se Mema kishte ndonjë levë në dorë e po kërkonte sherr. Skena tragjike, që mund të evitoheshin shumë lehtë, mjaftonte që policia të ndalte qetësisht dhe me dialog Memën, duke e mbajtur në një distancë 2-3 metra nga arbitri. 

Nëse pastaj Mema nuk duhej të ishte fare në fushë, për shkak të kartonit të kuq, ky është diskutim tjetër dhe dalim te problemet e stadiumit në Fushë-Krujë, apo te problemet e organizimit, me zyrtarët e FSHF-së që duhej të ishin të qartë me Memën dhe me forcat e sigurisë në stadium.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit