Video: Dështimi i Partizanit eliminon Genoan dhe punëson Prandellin

6 Dhjetor 2018
21:35
Eraldo Harlicaj
back button

E mbani mend Krisztián Adorjanin? Ai u afrua me Partizanin në sezonin 2017-18 duke qenë një nga beniaminët e Mark Iulianos dhe shpurës italiane që mori nën kontroll “demat” sezonin e kaluar. Hungarezi u konsiderua si një lëvizje “big” dhe pritej shumë prej tij duke qenë se vinte nga Novara në Seria B ku kishte marrë minuta. Rezultati ishte zhgënjyes, pasi 25 vjeçari nuk i plotësoi kurrë pritshmëritë dhe nuk ia doli të justifikonte rrogën e tij të majme. Trajneri i rikthyer Sulejman Starova e nxori shpejt jashtë planeve të kryeqytetasve. Aventura me “demat” mbaroi shpejt dhe 25-vjeçari “u strehua” në Irlandë te Dundalk. Asgjë as në ishull dhe u rikthye në Itali aty ku firmosi për Virtus Entellan në Seria C.

Nuk është titullar, madje ka shumë pak minuta në kampionat, por mbrëmjen e së enjtes, Adorjani ka shijuar ndeshjen më të mirë të karrierës. Ekipi i ish-lojtarit të Partizanit përballej në Kupë kundër Genoas në transfertë në sfidën e vlefshme për 1/16 të Kupës së Italisë. Hungarezi e nisi si titullar dhe rezultoi të ishte protagonisti kryesor. 90 minutat e rregullta u mbyllën në barazimin 2-2. I zakonshmi Piatek shënoi dy golat e barazimit për italianët, pasi Icardi kishte realizuar dopietë për Virtus Entellan duke i kaluar dy herë në avantazh.

Takimi shkoi në shtesë dhe ishin “elitarët” e Seria A që kaluan në avantazh në minutën e 110′ me Lapadulan. Lojtari i Genoas shënoi sërish me 11-metërsh, duke qenë rekord në vete akordimi i 3 penalltive brenda ndeshjes. Atëherë kur gjithçka mendohej e humbur për “diletantët” e Seria C, Adorjani barazoi rezultatin në minutën e 120′ duke dërguar ndeshjen drejt penalltive. Aty ku miqtë tregohen më të saktë, pasi kualifikohen duke fituar 6-7. Për Genoan gabuan Bessa dhe Lapadula, ndërsa për miqtë gaboi vetëm Baroni. “Shqiptari” Adorjan u tregua i saktë në penalltinë e 8-të duke qenë sërish vendimtar për skuadrën e tij. Padyshim ndeshja e jetës për mesfushorin që kualifikon Virtus Entellan për fazën e 1/8 të Kupës së Italisë. Pas humbjes Genoa shkarkoi direkt trajnerin Ivan Juric duke i besuar ish-trajnerit të Italisë, Cesare Prandellit.

Faza e 1/8-ve të Kupës së Italisë sjell këto sfida:
Milan-Sampdoria
Napoli-Sassuolo
Lazio-Novara
Inter-Benevento
Fiorentina-Torino/Sud Tirol
Roma-Virtus Entella
Juventus-Bologna
Atalanta-Cagliari

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit