Video: Laçi shpartallon Vllazninë, Nwaubeze nderon Cungun

27 Tetor 2019
14:53
Eraldo Harlicaj
back button

Laçi ka shpartalluar Vllazninë me rezultatin 3-0 në shtëpi. U mendua si një ndeshje më e vështirë për djemtë e Armando Cungut, por nuk rezultoi kështu, pasi me një Kyrian Nwaubeze në superformë gjithçka bëhet më e thjeshtë. 

Sulmuesi amerikan mori përdore ekipin e tij duke e çuar te fitorja. Ai nxori nga hiçi dy gola fantastikë që i realizoi me “dhunë” duke hedhur në tapet mbrojtjen e kuqebluve. Rrjeta e parë u realizua në minutën e 39′. 

Amerikani lëshoi një silurë të fortë dhe e pushoi në rrjetë. Pjesa e dytë nisi nën shijen e së parës, pasi ishte sërish Nwaubeze që tregoi cilësinë e tij si sulmues. Ai fitoi një top në mbrojtjen e Vllaznisë, avancoi mes 5 lojtarëve dhe gjuajti fort për 2-0. 

Goli i tretë dhe i kapitullimit u realizua në minutën e 60′. Nwaubeze nxori të lirë Xhixhën me Sherrin, portieri reagoi mirë dhe shpëtoi portën e tij. Topi mbeti në zonë, pasi Marku nuk e largoi. Lushkja vallëzoi mes mbrojtes, gënjeu dhe Sherrin dhe realizoi për 3-0. 

Laçi është ringjallur me Cungun, pasi merr fitoren e dytë në dy javët e fundit, pasi më herët mposhti dhe Teutën me të njëjtin rezultat 3-0. Kurbinasit tashmë i bashkohen pjesës kryesore të tabelës, ndërsa Vllaznia humbet terren në renditje. 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit