VIDEO: Latifi shkëlqen nën diellin spanjoll, gol në “derbin” shqiptar

18 Janar 2019
11:03
back button

Ndeshjen e fundit si titullar e ka luajtur në nëntor dhe në një vit në Hungari Liridon Latifi luajti vetëm 8 ndeshje nga minuta e parë në kampionat, një mesatare për të ardhur keq, kur mendon se bëhet fjalë për një lojtar të transferuar për shifër mjaft të rëndësishme dhe që shihej si e ardhmja e kombëtares shqiptare.

Për 24-vjeçarin nga Prishtina viti 2018 ishte i tëri për t'u harruar, përtej ndonjë goli të shënuar, por në 2019 shpresa është që gjërat të ndryshojnë.

Në miqësoren e luajtur këtë të enjte në Marbella të Spanjës, kundër Bazelit, Latifi luajti 90 minuta dhe ky është një sinjal i shkëlqyer, sepse mesfushorit ofensiv i duhen minuta, sa më shumë minuta.

Përfundoi 2-1 për Bazelin, ku Taulant Xhaka luajti 45 minutat e para si kapiten. Shënuan Albian Ajeti në pjesën e parë dhe Fabian Frei në minutën e 86-të por golin më të bukur të ndeshjes e shënoi pikërisht Latifi, në minutën e 89-të, me një ekzekutim perfekt të goditjes së dënimit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit