Video: Skënderbeu në tapet, gjyqtari i jep fitoren Luftëtarit

16 Dhjetor 2018
19:34
Eraldo Harlicaj
back button

Për dikë ndeshja ndërmjet Skënderbeut dhe Luftëtarit e mbyllur me rezultatin 2-3 ka qenë një nga sfidat më emocionuese të Superiores deri tani, ndërsa për dikë tjetër ka qenë thjesht “show”. Në stadiumin e Korçës 90 minutat e rregullta u mbyllën me fitoren e gjirokastritëve në një sfidë që nisi me polemika të forta dhe u mbyll ashtu me gjyqtarin Hermal Llapra që u kthye në antagonistin e sfidës.

Takimi nisi me vrull me të dy ekipet që nuk menduan për t’u mbrojtur, por për të shënuar dhe ngacmuar portën kundërshtare. Takimi u zhbllokua në minutën e 10′ nga shtatshkurtri Bregu. Vlonjati mori një top brenda zonës dhe me një goditje e pushon në rrjetë falë devijimit të një prej futbollistëve kundërshtarë.

Kundërpërgjigjja e miqve nuk vonoi, pasi vetëm në aksion pasardhës Demo barazoi shifrat në 1-1. Një goditje nga jashtë zone që gjeti të papërgatitur portierin Aldo Teqja. Një goditje pa shumë pretendime që përfundon në rrjetë.

Kapiteni Marko Radas i dha avantazhin miqve në minutën e 18′. Ai devijoi një top duke e shtyrë drejt rrjetës së tij. Kroati nuk arriti ta largonte nga zona topin e ardhur nga krahu i djathtë i fushës, por i dha avantazhin Luftëtarit në 1-2.

Sfida vazhdoi të ishte e shpejtë dhe e zjarrtë, pasi baraspesha u arrit me një gol fantastik nga Dejvi Bregu. Shtatshkurtri mori përsipër një goditje dënimi nga një distancë prej 20 metrash. Goditja e tij la në vend portieri kundërshtar dhe barazoi shifrat në 2-2 në minutën e 25′. Me këtë rezultat u mbyll dhe pjesa e parë.

Në pjesën e dytë janë vendasit që futen më agresiv në fushë dhe tentojnë të gjejnë golin e fitores. Tentativat e Bregut gjejnë një mbrojtje të hekurt mbrapa. Gjirokastritët u munduan që të shohin përpara me kundërsulme. Ritmi i takimit ishte i lartë dhe me aksione nga të dy krahët, çuditërisht, ndryshe nga ndeshjet e tjera, loja efektive ishte më e lartë me lojtarët që dhuruan më shumë futboll.

Takimi u vendos në minutën e 84′ kur gjyqtari Hermal Llapra mendoi të zgjidhte ndeshjen. Një nga futbollistët e Skënderbeut gjuan brenda zonës, mbrojtësi Sambou e largon topin me kokë, por “bilbili i ndeshjes” drejton dorën drejt penalltisë. Mbrojtësi afrikan ndëshkohet me të vershë, por vendimi është më qesharak kur sheh që afrikani i kishte duart të lidhura pas vetes. Shkurtaj merr përsipër ekzekutimin e 11 metërshit dhe mposht Teqjan për 2-3. Deri në fund, korçarët nuk arritën të ndryshonin asgjë. Me këtë fitore, Luftëtari kalon Tiranën dhe shkon në vendin e 7. Skënderbeu bie në vendin e 4 duke vazhduar krizën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit