VIDEO: Suarez përmbys Eibar-in, Atletico “arratiset” në La Liga

21 Janar 2021
23:23
Denis Hakanaj
back button

Atletico Madrid ka mposhtur 2-1 Eibar-in dhe ka marrë fitoren e radhës në La Liga.

Ka qenë një fitore e vuajtur dhe me përmbysje për skuadrën e Simeone-s.

Colchonero-s, në fakt, kanë kaluar në disavantazh pas vetëm 12 minutash lojë pas një penalltie të shkaktuar nga Vrsaljko.

Te pika e bardhë është paraqitur portieri i vendasve Dmitrovic, i cili nuk ka gabuar dhe është bërë portieri i parë që shënon me penallti në kampionatin spanjoll që nga viti 2003.

Përmbysja e madrilenëve ka ardhur me Luis Suarez. Uruguaiani ka barazuar takimin në minutën e 40-të të pjesës së parë dhe ka shënuar golin e fitores me penallti në minutën e 88-të.

Ish-ylli i Barçës ka shënuar 12 gola kundër Eibar-it në nëntë ndeshje të La Liga-s, më shumë se ndaj çdo kundërshtari tjetër në kampionatin spanjoll.

Atletico kryeson renditjen me 44 pikë, shtatë më shumë se Real Madrid i vendit të dytë dhe dhjetë më shumë se Barcelona e vendit të tretë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit