Wolfsburgu e ka mbyllur kampionatin gjerman në vendin e gjashtë, falë fitores së çmendur 8-1 sot ndaj Augsburgut. Një furtunë e vërtetë në portën e Augsburgut, që po të kishte pësuar edhe një gol më shumë, do ta kishte ngjitur në vendin e pestë Wolfsburgun, që gjithsesi shkon në Europa League.
Lavdi edhe për mesfushorin e talentuar shqiptar Elvis Rexhbecaj, sepse 21-vjeçari nga Kosova shënoi golin e gjashtë të sfidës.
Goli i dytë në Bundesligë për një nga zbulimet e sezonit, sepse pakkush e priste që Rexhbecaj të luante kaq shumë dhe të shkëlqente këtë sezon. Jo rastësisht, kohët e fundit klubet angleze janë interesuar për talentin e "Ujqërve", i cili ndërkohë nuk ka vendosur ende nëse do përfaqësojë Kosovën, apo Gjermaninë.