Christian Vieri, i intervistuar nga “SportMediaset” në margjinat e një eventi të organizuar nga “Lega Serie A” në universitetin IULM të Milanos, komentoi javët e para të kampionatit italian: “Po pres Lukakun, ai është duke u stërvitur te Napoli prej dy javësh. Nuk shkoi në ekipin kombëtar për të punuar këto ditë, jam i sigurt se Conte po e ‘shtrydh’ atë fizikisht. Personalisht pres një gol për ndeshje prej tij”.
Po Lautaro Martinez?
Ai është kampion. Thuram dhe Lautaro janë çifti më i fortë sulmues në kampionatin tonë. Ata do të shënojnë shumë gola, kënaqen duke luajtur bashkë, janë kampionë.
Si ju duket gara për titullin?
Juventusi është forcuar, Napoli po bën një ekip të mirë, Milani është aty, edhe pse nuk e ka nisur shumë mirë. Për mendimin tim, skuadra e Interit është më e forta në kampionat.
E prisnit këtë ndikim nga Thiago Motta?
Po, sepse në Bolonjë, në gjashtë muajt e parë, siguroi mbijetesën në Serie A dhe pastaj, në sezonin e dytë i dërgoi të tijtë në Ligën e Kampionëve. Juventusi e mori atë, Motta kërkon kohë sa të implementojë filozofinë e lojës që ka në mendje. Ai dëshiron të luajë futboll të mirë, ta kontrollojë lojën. Për ta bërë këtë kërkon pak kohë dhe durim. Është trajner i mirë, shumë i zgjuar.