Vila iu kujton Luftëtarin të tijve: Mos ta marrin lehtë Flamurtarin!

7 Mars 2020
12:33
Alfred Lleshi
back button

Nga Partizani te Flamurtari, kjo është trajektorja që duhet të ndjekin “djemtë e detit” brenda një jave kalendarike. Në mesjavë, ata fituan ndaj kampionëve në “Selman Stermasi”, ndërsa nesër do të presin vlonjatët në shtëpi. Një derbi bregdetarësh, që përball skaje të kundërta në klasifikim. Teuta synon kreun, ndërsa Flamurtari thuajse e ka prerë biletën e rënies një kategori më poshtë. Pavarësisht kësaj “fotografie”, Emiljano Vila kërkon përqendrim e kujdes nga të tijtë, duke mos e nënvlerësuar kundërshtarin. Në konferencën e sotme për shtyp, mesfushori durrsak nënvizoi:

“Normale që atmosfera është shumë e mirë, duke e ditur që fitorja ndaj Partizanit erdhi në momentin e duhur. Jemi duke përgatitur ndeshjen e nesërme me Flamurtarin. Jemi të gjithë gati. Në letër, normal që është ndeshje e lehtë, por duke parë kampionatin nuk mendoj se ka të tilla. E vlerësojmë maksimalisht Flamurtarin, para disa javësh kemi gabuar me Luftëtarin. Nuk na lejohet asnjë hap fals. Flamurtari nuk ka çfarë të humbasë nesër, e tregoi edhe me Tiranën se di të luajë futboll. Do të hyjmë në fushë si në dy ndeshjet e fundit, me Partizanin dhe Kukësin, ku kemi zhvilluar lojëra të mira.

Ky kampionat ka treguar se nga i pari deri tek i fundit, të gjithë luajnë futboll dhe të hapin probleme. Nesër do të japim maksimumin, që të marrim tri pikët. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Nuk dua të shohim ndeshjet e tjera, por të shohim veten. Të marrim tri pikët dhe pastaj të mendojmë për Laçin. Në këto dy ndeshje do të shihet mirë se ku mund të renditemi. Përgjegjësia është mbi ne, lojtarët durrsakë. Kemi eksperiencë, si unë, Arapi dhe Rustem Hoxha, apo edhe disa djem të tjerë. Teuta ka ndërthyrje të mirë mes veteranëve dhe më të rinjve. Presidenca ka krijuar një grup të mirë. Kemi treguar se luajmë futboll, japim maksimumin. Tani të shohim përpara.

Besoj se kemi zhvilluar një kampionat pozitiv deri tani. Jemi në garë në Kupë dhe kampionat. Shpresoj që për 100-vjetorin e klubit të fitojmë Kupën e Shqipërisë. Ta sjellim atë trofe në Durrës, pasi ka kaq shumë vite që mungon. Për mendimin tim dhe të gjithë çunave, Kupa e Shqipërisë është kryesore. Nuk nënvlerësoj kampionatin, por atje synojmë të kualifikohemi në Europë”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit