Viti “gjerman” për Haaland / 35 gola në 35 ndeshje, rekorde në Champions dhe Bundesliga…

19 Janar 2021
13:34
Alfred Lleshi
back button

Më 18 janar 2020, një vit më parë, Erling Braut Haaland bëri debutimin e tij për Borussia Dortmund. Debutimi i tij në Bundesliga, kundër Augsburg (3-5), premtoi emocione të forta. Sulmuesi norvegjez hyri në vend të Piszczek në minutën e 56-të dhe realizoi “hat-trick”. Askush nuk e kishte arritur atë më pare, në premierën e tij, duke ardhur nga pankina.

Skenari u përsërit sfidën në vijim, kundër Këlnit (5-1). Haaland zëvendësoi Thorgan Hazard në minutën e 65-të dhe shënoi dopietë. Historia përsëritej vazhdimisht: askush nuk kishte shënuar kaq shumë gola (5) në dy ndeshjet e tyre të para, askush nuk i kaloi 7 gola pas 3 ndeshjeve të para në një ekip të ri. Dhe kështu me radhë, derisa dopieta e tij ndaj RB Leipzig (1-3) e ngjiti atë në kuotën e  25 golave ​​në 25 ndeshjet e para në Bundesligën Gjermane. Kësisoji, norvegjezi tejkaloi rekordin historik të Uwe Seeler (23).

Kujtojmë se djali i Alf-Ing Haaland kishte shënuar 29 gola në 27 ndeshje për RB Salzburg. Sidoqoftë, nuk e ka ndjerë presionin e 20 milionëve, që Dortmundi pagoi për të, as kalimin në një kampionat të shkëlqyeshëm. Me 20 “pranvera” mkbi supe, Haaland e ka mbyllur vitin e tij të parë te BVB me disa numra “jashtëtokësorë”: 35 ndeshje dhe 35 gola. Ai gjithashtu ka dhënë 5 asistie, midis të gjitha garave.

Në Ligën e Kampionëve nuk ka ndaluar së thyeri rekorde. Haaland mund të mburret se është lojtari më i ri që ka arritur 10 dhe 15 gola në historinë e Champions-it. Aktualisht, ai ka 16 gola në këtë kompeticion. Norvegjezi shënoi 8 gola në 6 ndeshjet e tij të para me RB Salzburg dhe tani ka 8 gola më shumë në po aq ndeshje me Borussia Dortmund. Shifrat e tij në Champions janë të pabesueshme.

Asnjë lojtar tjetër me 10 ose më shumë gola nuk ka arritur një raport kaq të lartë për minutë (1 gol në 56 minuta). Haaland, gjithashtu u bë lojtari i parë i Borussia Dortmund që shënoi në debutimin e tij në Bundesliga, Kupën e Gjermanisë dhe Champions. Kulmi i vitit të tij të parë në “Signal Iduna Park” erdhi me kurorëzimin si “Golden Boy”. “Tuttosport” e vlerësoi atë si të riun më të mirë nën 21 vjeç.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit