Vjen nga Austria, ka luajtur me Rapidin. Kukësi zyrtarizon mesfushorin 23-vjeçar

4 Gusht 2020
13:44
Alfred Lleshi
back button

Një largim dhe një afrim, “flakë për flakë”. Kukësi i ka ndezur mirë motorët, pas zyrtarizimit të trajnerit të ri, Skënder Gega. Ditën e sotme u zyrtarizua mbyllja e bashkëpunimit me portierin Kosovar, Ilir Avdyli, ndërkohë që nuk ka vonuar të konfirmohet përforcimi i radhës. Ai vjen nga Austria, ku ka lindur dhe e ka ndërtuar karrierën si futbollist, ku ka luajtur për disa nga kombëtaret e moshave të këtij vendi. Njoftimi i klubit verilindor sqaron plotësiosht se për kë bëhet fjalë:

“Albin Gashi është zyrtarisht futbollist i Kukësit! Mesfushori 23-vjeçar ka firmosur sot me skuadrën tonë kontratën 2-vjeçare. Gashi e ka nisur karrierën e tij në kampionatin austriak, ku edhe ka lindur. 23-vjeçari ka qenë pjesë e Rapidit të Vienës, duke qenë edhe prodhim i akademisë austriake. Së fundi ishte pjesë e Floridsdorferit, po në Austri.

Gashi ka kryer vizitat mjekësore dhe më pas ka firmosur kontratën, duke u bërë kështu futbollisti më i ri i skuadrës sonë. Në të kaluarën, Gashi ka qenë edhe pjesë e skuadrës së Austrisë për mosha, duke u paraqitur me Austrinë U-16 (12 ndeshje, 4 gola), Austrinë U-17 (10 ndeshje), Austrinë U-18 (4 ndeshje, 3 gola) dhe Austrinë U-19 (6 ndeshje, 1 gol). Gashi do të bashkohet me skuadrën ditën e enjte, kur do të zhvillohet stërvitja e parë për sezonin e ri futbollistik, që nis më 27 gusht me ndeshjen e Ligës së Europës. Klubi i Kukësit i uron shumë suksese mesfushorit Gashi!”

Ja dhe skeda e lojtarit:
Emri dhe mbiemri: Albin Gashi
Mosha: 23 vjeç
Kombësia: shqiptare
Gjatësia: 1.83 m
Pozicioni: Mesfushor
Klubet e mëparshme: Rapid Viena, Den Bosch, Horn, Floridsdorfer

Lajme të tjera

Lajmet e fundit