Vllaznia e dashuruar me amerikanët, vijnë 2 të tjerë për të evituar rënien nga Superliga

29 Dhjetor 2018
20:49
Telesport
back button

Skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj vijon të jetë aktive në merkato, duke afruar orët e fundit dy basketbollistë amerikanë. Bëhet fjalë për Javis Howard, një lojtar qendre, 2.03 metra i gjatë dhe një anësor, Christian Bradford, 1.85 metra i gjatë. Këta dy lojtarë i janë bashkuar skuadrës dhe kanë nisur menjëherë stërvitjen, por ende nuk kanë firmosur me klubin shkodran.

Arsyeja? Fillimisht trajneri Plantak do të testojë dy lojtarët për të parë aftësitë e tyre dhe më pas do të vendosë nëse do të luajnë apo jo. Kjo për shkak se dy basketbollistët e tjerë amerikanë që Vllaznia pat afruar në nëntor nuk bindën dhe janë larguar. Ata janë Austin Dasent dhe Michael Hundley, që u konsideruan si të papërshtatshëm për skuadrën dhe u larguan.

Vllaznia nuk po kalon një moment të mirë në Superligë, ku ndodhet në vendin e fundit me vetëm 1 fitore e 9 humbje në përfundim të fazës së pare (11 pikë), duke rrezikuar rënien në Kategorinë e Parë. Stafi drejtues i ekipit shkodran u shpreh se do të bëhet maksimumi për të qëndruar në Superligë, madje do të tentohet edhe afrimi i 2 lojtarëve të tjerë, një të huaji dhe një vendës gjatë muajit janar, për të arritur objektivin.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit