Vllaznia-Kastrioti, përplasja mes dy “kalave”. Brdaric dhe Gurishta japin kushtrimin

19 Nëntor 2021
15:36
Alfred Lleshi

Pas fitores tenistike 6-1 ndaj Pogradecit në Kupën e Shqipërisë, kuqeblutë do të sprovojnë veten nesër në Superiore, pikërisht në ndeshjen e fundit të fazës së parë. Kalendari e vendos Vllazninë përballë krutanëve, një kundërshtarë që Meriton vëmendje. Pikërisht përqendrim dhe qetësi kërkoi edhe trajneri Thomas Brdaric në konferencën e sotme për shtyp, ku nënvizoi:

“Duhet të vazhdojmë të bëjmë atë që nisëm në Kupë ndaj Pogradecit të mërkurën. Lojtarët duhet të jenë të qetë dhe të motivuar, si në stërvitje. Me qetësi nesër do të marrim rezultat pozitiv. Shpresoj të luajmë siç dimë ne, të bëjmë më të mirën. Të shënosh 6 gola ndaj një skuadre që mbrohet mirë është gjë e bukur, por duhet të dimë si të futemi në zonë, të fitojmë sa më shumë duele. Ndaj Pogradecit ia dolëm mirë, tani të përqendrohemi te ndeshja e nesërme.

Kastrioti? Është një ndeshje tjetër nga ajo e para e sezonit të kaluar, me lojtarë të tjerë. Dua që lojtarët të jenë në maksimumin e tyre, të japin më të mirën. Gjithë kjo punë që kemi bërë deri tani të shpërblehet nesër. E para, duhet të kemi shumë vetëbesim dhe të mos mendojmë për Kastriotin, por për veten tonë. E dimë si luajnë krutanët, por përqendrimi maksimal do të jetë te mënyra sesi luajmë ne, çfarë do të bëjmë në fushë për të marrë fitoren.

Formacioni? Do të starojmë me 11-shen më të mirë nesër. Lojtarët janë shumë të motivuar për të luajtur dhe për të fituar ndaj Kastriotit. Kemi edhe lojtarët e stolit, të cilët janë të aftë të bëjnë diferencën. Sigurisht, të gjithë duan të luajnë, por ne do të zgjedhim më të mirët. Për mua është e rëndësishme që lojtarët të jenë të gjithë gati. E kam parë në stërvitje këto ditë se janë shumë të motivuar për ta fituar ndeshjen nesër”.

Nga ana e tij, kapiteni Gurishta, në krah të trajnerit të tij, vijoi të bënte thirrje për kujdes, sepse nuk ka kundërshtar të lehtë në këtë kampionat, pavarësisht pozicionit në renditje: “Kastrioti është një kundërshtar i vështirë, ky kampionat ka treguar që nuk ka kundërshtar të lehtë. Po marr një shembull: Tirana, që ka zhvilluar një fazë të parë perfekte, ka lënë pikë ndaj Kastriotit dhe Egnatias, ndërsa me ekipet pretedente ka fituar.

Ky kampionat tregon që nuk ka ndeshje të lehta, ndaj ndeshja nesër duhet marrë seriozisht dhe duhet fituar me patjetër. Pushimi erdhi në momentin e duhur, sepse kishim disa rezultateve jo të mira. Kjo ndalesë na ka shërbyer për mirë. Të gjithë lojtarët kanë reflektuar dhe i kemi kuptuar gabimet që kemi bërë. Jemi të motivuar për ndeshjen e nesërme. Pushimi na bëri mirë dhe kjo u reflektua në Kupë ndaj Pogradecit, ku shënuam 6 gola, pavarësisht diferencave. Skuadra është e motivuar që nesër të bëjë më të mirën dhe të marrë maksimumin.

Skuadra jonë ka shumë cilësi dhe forca për të dalë nga kjo situatë. Jam i sigurt që shumë shpejt do të vijnë rezultatet pozitive, Vllaznia do të rikthehet aty ku të gjithë tifozët e dëshirojnë. Nga 5 ndeshjet e radhës, 4 i kemi në Shkodër. Ne si në Shkodër, por edhe jashtë futemi gjithmonë në fushë për të marrë maksimumin.

Të luash në Shkodër 4 ndeshje është gjë e mirë, shpresoj që të kemi edhe përkrahjen e tifozëve dhe ne të japim maksimumin, duke filluar që nga nesër. Nesër është finalja jonë. Tifozët i kemi mërzitur disi, por duhet t’i japin kurajo skuadrës edhe në momente të vështira. Iu premtoj se do të kthehemi aty ku të gjithë dëshirojmë”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit