Vllaznia mposht Partizanin dhe i largohet fundit, play off-i mbetet i vështirë

9 Mars 2019
19:13
Telesport
back button

Vllaznia mundi 91-80 Partizanin sot në mbrëmje në Shkodër, takimi që mbylli javën e 15-të të Kampionatit Kombëtar në Basketboll për meshkuj. Tashmë mbijetesa në Superligë nuk është më një “mision i pamundur” për basketbollistët shkodranë, por e tillë është sfida për një vend në play off. Gjithsesi, fitorja e sotme ka shumë rëndësi për Vllazninë, që për herë të parë këtë sezon i largohet vendit të fundit në renditje, duke u barazuar me pikë me Kamza Basket.

Ndeshja u dominua gjatë gjithë kohës nga basketbollistët vendës, që hodhën bazat e këtij triumfi në periodën e parë, ku u shkëputën 27-12. Kjo epërsi u administrua me kujdes nga vendasit deri në fund edhe pse Partizani ushtroi presing gjatë gjithë kohës për të rihapur ndeshjen. Vllaznia, e përkrahur edhe nga tifozët e shumtë sot në pallatin e sportit, nuk e uli ritmin, duke bërë një paraqitje të mirë. Kryeqytetasit tentuan deri në fund të përmbysin shifrat por pa sukses, duke qëndruar në vendin e tretë.

Basketboll – Superliga Meshkuj, java e 15-të (8 shkurt)

Kamza – Goga Basket, 75-92

E shtunë, 9 shkurt

Vllaznia – Partizani, 91-80

E diel, 10 shkurt

Teuta – Tirana, ora 18:00 (Durrës)

Renditja: Goga Basket 28 pikë (13/2), Teuta 24 pikë (10/4), Partizani 23 pikë (8/7), Tirana 21 pikë (7/7), Vllaznia 18 pikë (3/12), Kamza Basket 18 pikë (3/12).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit