Vllaznia në “grupin e ferrit”; sfidon Real Madridin, Chelsea dhe PSG në Champions

3 Tetor 2022
14:14
Alfred Lleshi
back button

Historik ishte kualifikimi i Vllaznisë për femra në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Edhe më historike bëhet kjo arritje nga shorti i sotëm, që e ka vendosur skuadrën kuqeblu përballë emrave të mëdhenj kontionentalë si Real Madridi, Chelsea dhe PSG në grupin A kualifikues të këtij kompeticioni elitar të futbollit, edhe për femra, në Europë.

Goglat e përziera sot në Nyon të Zvicrës kanë rezervuar rivalë shumë të fortë për Vllazninë, e cila do të ketë shansin të luajë për herë të parë në një skenë të tillë dhe të dëshmojë potencialin e madh sportiv. Kujtojmë se ndeshjet e fazës së grupeve do të zhvillohen në datat e caktuara nga UEFA, duke nisur nga muaji tetor deri në dhjetor.

Kësisoji, vajzat kuqeblu do të jenë kryelajm për ndeshjet që do të luajnë kundër homologeve nag Madridi, Parisi dhe Londra. Ato parakalojnë edhe Skënderbeun e meshkujve me arritjen e tyre. Kujtojmë se arritjet më të mëdha të skuadrave shqiptare në futboll, në Kupat e Europës, mbajnë emrin e Skënderbeut për meshkuj dhe Vllaznisë për femra.

Kuqebardhët e Korçës shkuan në fazën e grupeve të Ligës së Europës, para disa vitesh, kur ishin në zenitin e tyre, pa u dënuar akoma nga UEFA. Nga ana e tyre, vajzat kuq eblu të Shkodrës do të shijojnë këtë edicion të Ligës së Kampionëve edhe fazën e grupeve. Një arritje e madhe, që nderon jo vetëm kryeqendrën e veriut, por krejt Shqipërinë.

Nga ana e tij, Grupi B do të përbëhet nga Wolfsburg, Slavia Pragë, St.Pölten dhe Roma, ndërsa Grupi C do të jetë për Olympique Lyon, Arsenal, Juventus dhe FC Zürich.

Faza e grupeve do të luhet më 19/20 tetor (dita 1); 26/27 tetor (dita 2); 23/24 nëntor (dita 3); 7/8 dhjetor (dita 4); 15/16 dhjetor (dita 5); dhe 21/22 dhjetor (dita 6).

Më tej do të vijohet me çerekfinalet (21/22 mars dhe 29/30 mars), gjysmëfinalet (22/23 prill dhe 29/30 prill) dhe finalja në stadiumin e PSV Eindhoven (4 qershor).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit