Vllaznia pa rroga, bojkoton stërvitjen. Flet kapiteni Lika: Po na mbajnë bukën e gojës!

22 Maj 2020
10:53
Alfred Lleshi
back button

Kaos te Vllaznia. Futbollistët nuk kanë pranuar të stërviten pasditen e djeshme, duke pretenduar se kanë muaj pa marrë rrogat. Pas takimit me administratorin Suat Lici, kuqeblutë kanë vendosur të kthehen në shtëpitë e tyre, pa e zhvilluar programin trajnues. Është marrë vesh se ata nuk janë paguar për muajt shkurt, mars dhe prill, ndërsa palët kanë dhënë sqarimin e tyre për mediat. Administratori Lici ka pohuar:

“Ne kishim një takim me skuadrën, natyrisht kërkonin pagesën e muajit shkurt. Ndërsa për marsin dhe prillin kërkonin informacion. Ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjet e shtetit shqiptar, pasi nuk janë miratuar financat, i kemi të bllokuara. Diskutova me lojtarët, gjendja e pandemisë ka bërë të vetën, nuk mund të paguajmë një punë të pabërë. Ata janë në të drejtën e tyre, ndërkohë që siç dihet, shteti jep minimumin jetik. Çdo gjë ishte transparente, shpresojmë që brenda dy javëve të zgjidhet sitiuata. Deri në janar i kemi likuiduar të gjithë 100%”.

Në emër të lojtarëve ka reaguar kapiteni Gilman Lika: “Muaji i fundit që kemi marrë rrogën është janari. Askush nuk është paguar, jabanxhinjve nuk iu është siguruar as ushqimi dhe iu janë prerë dritat. A luhet kështu futboll?! Paga e FSHF-së nuk del për të shtyrë një javë. Propozimi ynë është që të paguhemi rregullisht deri në fund të majit, pastaj të vendosë klubi një pagë minimale.

Duhet të paguhet qiraja dhe ushqimi i futbollistëve, kjo është minimalja. Është vendim i marrë nga të gjithë lojtarët, kemi disa ditë që e kemi diskutuar. Unë po flas në emër të gjithë grupit, do të vazhdojmë bojkotin derisa të zgjidhet situata, nuk mund të vazhdohet më kështu.

Këta na thonë se është faji i Këshillit Bashkiak dhe ne nuk e dimë si qëndron puna. Ne do ta vazhdojmë bojkotin derisa të zgjidhet gjithçka. Ne po kërkojmë dikë që të flasim dhe ta zgjidhim këtë, të krijohet një takim dhe të gjejmë zgjidhje. Me kryebashkiaken nuk kemi komunikuar. Kjo mund të jetë një luftë politike, por nuk na intereson aspak, ne përfaqësojmë Vllazninë. Ne duam të marrim pagat, të paguhen qiratë për jabanxhinjtë dhe ushqimi.”

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit