Vllaznia përmbys kavajasit dhe fiton Kupën e Shqipërisë

6 Shkurt 2019
13:54
Alfred Lleshi
back button

Në stadiumin “Elbasan Arena” u luajt finalja e Kupës së Shqipërisë për U-19, mes Besës dhe Vllaznisë, e fituar me shifrat 2-1 nga kjo e fundit. Të parët kanë kaluar në epërsi verdhezinjtë, me anë të Shaljanit që në minutën e tetë. U duk se ky vrull i kavajasve nuk do të ndalej, por reagimi kuqeblu ka qenë evident dhe i strukturuar në fushë. 

Të rinjtë e Vllaznisë nuk e kanë humbur orientimin, as janë ngarkuar psikologjikisht nga disavantazhi i shpejtë, por kanë ndërmarrë aksione të rrjedhshme në drejtim të portës së kundërshtarit. Fillimisht e kanë zhvendosur lojën në gjysmëfushën  Besës, derisa kanë gjetur edhe golin e barazimit me anë të Hoxhës në minutën e 27-të. 

Lojtari në fjalë ka shëndërruar në gol penalltinë e fituar nga të tijtë. Nuk ka vonuar shumë dhe shkodranët kanë shpërthyer në delir, sepse kanë gjetur edhe golin e dytë. Kësaj here ka qenë Qardaku, ai që ka realizuar për rezultatin 2-1, i cili, pavarësisht përpjekjeve të mëtejshme të të dyja skuadrave, sidomos të verdhezinjve, ka mbetur i pandryshuar. 

Pra, Vllaznia ia ka dalë të fitojë me përmbysje dhe ta bëjë të vetin këtë trofe, duke dëshmuar dominim në garat kombëtare të kësaj grup-moshe, sin ë vitet e shkuara. Duke iu referuar kronikës së lojës, kuqeblutë kanë luajtur me një lojtar më pak, që nga minuta e 67-të, sepse Shima ka dalë me karton të kuq. 

Ndërkohë, gjyqtari kryesor ka dhënë edhe 9 kartonë të verdhë, çka tregon për një ndeshje mjaft të luftuar e me dëshirë për t’u fituar nga të dyja palët. Ekipet finaliste zbritën në fushë me këto formacione. Vllaznia: Qarri, Shimaj, Repaj, Ndreca, Hoxha, Kulla, Kovaci, Rrasa, Lekaj, Mali, Qardaku. Besa: Dabijani, Rrushi, Kacbufi, Damarija, Mecja, Cara, Selita, Meraj, Zeqiri, Deliu, Shaliani.

Medaljet dhe trofeu për fituesit e edicionit të katërt të Kupës së Shqipërisë U-19 janë dorëzuar nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Bardhyl Jera.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit