Vllaznia zyrtarizon përforcimin e parë në merkato, merr “kanakarin” e Josës

12 Qershor 2022
11:06
Alfred Lleshi
back button

Vllaznia bën zyrtarizimin e parë në merkaton e kësaj vere. Nis kështu puna për formatimin e skuadrës kuqeblu sipas shijeve të trajnerit Mirel Josa dhe mundësive ekonomike të presidentit Alban Xhaferi.

Nuk ka kohë për të “fjetur mbi dafina”, sepse Vllaznia, si fituese e Kupës së Shqipërisë do të marrë pjesë në Kupat e Europës, ndaj duhet t’iu paraprijë gjërave, për të qenë gati.

Prurja e parë është në rolin e mesfushorit, llogaritet se zëvendësues i Ardit Krymit (i larguar jashtë vendit), është lojtar që Josa e ka trajnuar te Prishtina në kampionatin kosovar, e njeh shumë mirë atë, ndaj ka ngulmuar për ta marrë në “Loro Boriçi”.

Klubi kuqeblu e ka bërë zyrtar këtë përforcim përmes një shënimi në rrjetet sociale: “KF Vllaznia bën të ditur se ka firmosur me futbollistin Lorik Boshnjaku (ish-kapitenin e Prishtinës).

Për 7 vite me rradhë ai ka qenë pjesë e FC Prishtina, ndërsa nga sot e për dy vitet e ardhshme do të jetë pjesë e klubit tonë. Boshnjaku luan në rolin e mesfushorit të qendrës dhe KF Vllaznia i uron mirëseardhjen në familjen kuqeblu!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit