Vodafone sponsor i Kombëtares, kontratë “e majme” për FSHF-në

18 Mars 2019
15:01
back button

Mesditën e sotme Vodafone Albania është bërë zyrtarisht sponsori i Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, FSHF dhe Vodafone kanë prezantuar marrëveshjen, që do ta lidhë Kombëtaren me Vodafone për 6 vitet e ardhshme, 3 sezone sportive.

Slogani shoqërues i kompanisë së njohur telefonike për Kombëtaren do të jetë  “Ne jemi Një”.

Duke qenë një lider në tregun e telekomunikacionit në Shqipëri, duket qartë se Vodafone kërkonte maksimumin edhe në aspektin e sponsorizimeve në sport, duke zgjedhur Kombëtaren e futbollit, që është edhe ndër të paktat gjëra që realisht i bashkon gjithë shqiptarët.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, tha: "Jemi në prag të një edicioni shumë të rëndësishëm, të eliminatores 2020. Uroj që ta nisim mbarë me ndeshjen ndaj Turqisë e që kjo marrëveshje të na sjellë fat. FSHF dhe Vodafone Albania kanë një histori të gjatë bashkëpunimi. Ndoshta jo rastësisht kemi të përbashkët ngjyrën e kuqe, por dhe vendosmërinë për të arritur rezultate sa më të larta. Prej Vodafone Albania, që është sot lider në tregun shqiptar, FSHF nuk do të përfitojë vetëm mbështetjen financiare, por edhe mentalitetin e liderit, e fituesit”.

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Z. Achilleas Kanaris, tha: “Jemi shumë krenarë që nisim këtë partneritet me ekipin kombëtar shqiptar. Në çdo vend ku ne operojmë, nuk duam të konsiderohemi vetëm si një kompani e madhe, por edhe si investitorë të vazhdueshëm në gjithçka që ka rëndësi për komunitet. Për ne ishte shumë e thjeshtë t’i thoshim 'po' këtij sponsorizimi, duke parë se skuadra Kombëtare e Futbollit është pikërisht ajo që i bën shqiptarët krenarë, të bëhen bashkë, të qajnë, të lumturohen, të brohorasin. Pjesë e bukur e këtij bashkëpunimi është pa diskutim përdorimi i teknologjisë, që u mundëson fansave të jenë gjithnjë të lidhur me skuadrën e tyre të zemrës, kur janë në fushë por edhe jashtë saj. Ju uroj suksese në ndeshjen me Turqinë dhe në vijim, drejt kualifikimit”.

SHIFRAT – Në konferencën për shtyp organizuar për prezantimin e sponsorit të ri nuk u bënë publike hifrat e marrëveshjes, duke u ndalur te kohëzgjatja e kontratës, por Telesport zbulon se bëhet fjalë për një shifër të konsiderueshme: 600.000 euro në edicion do të shkojnë në arkat e FSHF-së, 1.8 milionë euro në total për 6 vitet e ardhshme. Një shifër e shkëlqyer, për të vetmen federatë sportive në Shqipëri që ka pavarësi financiare nga shteti dhe arrin të prodhojë të ardhura.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit