Votuan shkarkimin e Albin Kurtit, kapiteni i Kosovës shpërthen ndaj politikanëve

26 Mars 2020
9:43
Alfred Lleshi
back button

Mbrëmë, Kuvendi i Kosovës, me 82 vota pro, vendosi të shkarkojë qeverinë e vet. Albin Kurti, edhe pse u konsiderua si shpresa e madhe e shtetit më të ri në Ballkan, nuk mundi të mbijetojë gjatë në postin e kreut të ekzekutivit kosovar. Një vendimmarrje tejet e kritikuar politike, sepse vjen në emergjencën e frikshme të “Coronavirus”. Reagimet në mbështetje të kryeministrit në largim kanë qenë të shumta në rrjetet sociale. 

Nuk ka munguar ta thotë fjalën e vet për këtë edhe kapiteni i kombëtares së Dardanëve. Amir Rrahmani. Lojtari që pret të transferohet te Napoli në merkaton e verës, përmes rrjeteve sociale ka shprehur shqetësimin e tij për papërgjegjshmërinë e treguar nga ajo pjesë e klasës politike kosovare, që u bë bashkë kundër së resë dhe shpresës: 

“Asnjëherë nuk jam marrë me politikë, por në një situatë pandemie, të kenë më shumë rëndësi interesat personale se sa shëndeti i kosovarëve, nga të cilët nesër do të kërkojnë votën prapë, është e pakuptueshme. Edhe sa duhet te presim që Kosova të bëhet një shtet europian? 

Si çdo kosovar, edhe unë dua që shteti im të përparojë, që të kemi një jetë më të mirë të gjithë, sepse një ditë edhe unë dua të kthehem dhe të jetoj aty. Është vendi ynë. E DUA. Njeriu që ka marrë vota nga populli më së shumti në 15 vitet e fundit, BIE. Bie edhe fjala e popullit”. 

Fjali që tregojnë më së miri se si e ka pritur populli kosovar këtë “çmontim” të ekzekutivit kosovar, ndërkohë që ish-mbrojtësi i Partizanit e shoqëron postimin me një foto, ku krahason Albin Kurtin me personalitete të historisë shqiptare, si Hasan Prishtina dhe Fan Noli.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit